E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, Berisha e Meta zgjedhin stafet e tyre elektorale në 12 qarqe

Nga L.Progni

PS, PD e LSI zgjedhin stafet elektorale në 12 qarqet e vendit, duke përcaktuar emrat që do të përballen midis tyre në betejën e ardhshme elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Në 12 qarqet e vendit krerët e tri partive kryesore, Berisha, Rama e Meta, kanë zgjedhur stafin e tyre dhe do të jenë pikërisht emrat e zgjedhur për të drejtuar fushatën në 12 qarqe të vendit, ata që do të zhvillojnë betejën politike për llogari të partive që përfaqësojnë për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

PS, PD e LSI janë drejt përfundimit të përcaktimit të listave të plota me emrat që do të drejtojnë fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Grupet e punës, të përcaktuara nga krerët e tri partive, japin të qartë edhe idenë e stafeve të ngushta të krerëve të tri partive.

Të tre drejtuesit do të qëndrojnë në kryeqytet për të drejtuar, jo vetëm fushatën e qarkut të Tiranës, por edhe për të koordinuar punët e fushatës në tërësi. Rreth dy javë më parë, Kryesia e PS miratoi kujdestarët e qarqeve për fushatën elektorale të kësaj partie. Të 12 emrat që ka zgjedhur Rama të drejtojnë fushatën elektorale të PS, kanë garantuar edhe vendin e parë në listat e qarqeve, ku ata drejtojnë fushatën. Në të njëjtën situatë 12 emrat që drejtojnë fushatën elektorale të LSI në qarqe, janë të garantuar pikërisht në krye të këtyre listave. Ndërsa emrat që janë përcaktuar nga kryetari i PD, Sali Berisha, për të drejtuar punët e partisë në qarqe, pritet të jenë gjithashtu edhe drejtues të fushatës elektorale, sigurisht edhe në pozicione të sigurta në listën e kandidatëve për deputetë të PD në këto zgjedhje.

Përballja

Interesante është përballja e dy grave të majta në qarkun e Dibrës. Përballë Monika Kryemadhit të LSI në Dibër, do të drejtojë betejën politike për PS, zëdhënësja e Kryesisë së kësaj partie, Mimi Kodheli. Prej disa javësh, Kryemadhi ka nisur fushatën elektorale në Dibër, ndërsa Kodheli do të nisë punën së shpejti. Në qarkun e Dibrës, përballë dy grave të majta pritet të jetë i zgjedhur nga Berisha pikërisht Ilir Bano, i cili është zgjedhur bashkë me Njazi Kosovrastin për të drejtuar zgjedhjet në PD e këtij qarku.

Një tjetër përballje grash do të jetë në Korçë. Nga PD është zgjedhur për të drejtuar punët e partisë dhe më pas të fushatës elektorale Marjeta Zaçe, përballë së cilës do të jetë për të drejtuar fushatën e LSI Filloreta Kodra. Ndërsa për PS do të jetë në krye të fushatës Ben Blushi.

Në Shkodër, tri gra të tjera kundërshtarë do të luftojnë politikisht në verën e vitit të ardhshëm përballë njëra-tjetrës. Ato janë Jozefina Topalli e PD, Mimoza Hafizi e PS dhe Esmeralda Uruçi e LSI.

Në Skrapar, ku Ilir Meta pretendon se ka garanci në fitoren e LSI, do të jetë në krye të listës Nasip Naçi, të cilin vetë Meta e prezantoi para elektoratit të LSI, ku dhe shpjegoi arsyet e zhvendosjes së tij nga Skrapari drejt Tiranës. Për PS do të drejtojë betejën elektorale Erion Braçe bashkë me Marko Bellon. Ndërsa nga PD betejës së Beratit do t’i shtohet një grua e zgjedhur prej Berishës për të drejtuar zgjedhjet e PD në Berat. Ajo është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Bashkë me Bregun në Berat do të jetë në krye të fushatës edhe Edmond Spaho.

Më e vështirë duket situata për disa kujdestarë të PS në disa qarqe, siç është ai i Durrësit, ku i zgjedhur si kujdestar është Namik Dokle. Përballë tij do të jenë në krye të fushatës për PD Gazmend Oketa dhe Gjergj Lezhja, të dy zyrtarë të lartë të mazhorancës, ndërsa Dokle, duket se rrezikon me transferimin e tij nga Elbasani, ku dhe ka mbështetjen në elektorat, pasi atje është zgjedhur si deputet për disa legjislatura.

Të vështirë duket se do ta ketë misionin e tij në krye të shtabit elektoral edhe Pandeli Majko në Kukës. Majko vjen nga Korça dhe shkon në Kukës. Për këtë transferim Majko pati shfaqur rezervat e tij në mbledhjen e Kryesisë së PS, ku dhe u miratua lista e kujdestarëve të Kryesisë në shtabet elektorale të qarqeve. Të njëjtin problem paraqiti edhe Dokle, duke theksuar se nuk kishte pasur kontakte intensive me elektoratin socialist të Durrësit, dhe për të do të jetë e vështirë puna gjatë fushatës elektorale.

PS

Qarku Berat

Erion Braçe

Qarku Durrës

Namik Dokle

Qarku Dibër

Mimi Kodheli

Qarku Elbasan

Valentina Leskaj

Qarku Fier

Ermelinda Meksi

Qarku Gjirokastër

Gramoz Ruçi

Qarku Korçë

Ben Blushi

Qarku Kukës

Pandeli Majko

Qarku Lezhë

Lindita Nikolla

Qarku Tiranë

Shpëtim Idrizi

Qarku Shkodër

Mimoza Hafizi

Qarku Vlorë

Arben Isaraj

PD

Tiranë

Sali Berisha dhe deputetët e Tiranës

Shkodër

Jozefina Topalli, Astrit Bushati

Kukës

Jemin Gjana, Aleksandër Biberaj

Dibër

Ilir Bano, Njazi Kosovrasti

Lezhë

Edi Paloka, Fatos Beja

Durrës

Gazmend Oketa, Gjergj Lezhja

Elbasan

Lulëzim Basha, Halit Shamata

Berat

Majlinda Bregu, Edmond Spaho

Fier

Sokol Olldashi, Genc Ruli

Korçë

Ridvan Bode, Marjeta Zaçe

Kavajë

Flamur Noka

Rrethi i Tiranës

Gent Strazimiri

Gjirokastër

Genc Pollo, Ilir Rusmali

Vlorë

Astrit Patozi, Leonard Demi

LSI

Tiranë

Ilir Meta, Petrit Vasili

Berat

Nasip Naço

Durrës

Iliaz Labi

Vlorë

Brizida Gjikondi

Fier

Dritan Prifti

Dibër

Monika Kryemadhi

Korçë

Filloreta Kodra

Elbasan

Bujar Kllogjeri, Pëllumb Xhufi

Malësi e Madhe

Pjerin Ndrehu,

Shkodër

Esmeralda Uruçi

Kukës

Rexhep Ballmi

Lezhë

Viktor Tusha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›