BB: Reformoni pensionet, ndryshe do të ketë vështirësi të mëdha
Banka Botërore në një raport të sajin për reformën e pensioneve në vendet e Evropës Juglindore bënte me dije se skemat e tyre rrezikojnë të vihen në vështirësi të mëdha, në rast se nuk do të ndërmerren reforma të qenësishme. Raporti i Bankës Botërore, i bazuar mbi të dhënat e një studimi të imtë, saktësonte se të gjitha këto vende përfshirë edhe Shqipërinë, e cila e ka shumë më të dobët skemën e pensioneve, duhet ta zgjidhin në perspektivë afatgjatë këtë problem. Zhvillimet demografike, thotë raporti Bankës Botërore, do të bëjnë që shumë më pak njerëz të jenë në punë sesa numri i njerëzve që kapin moshën e pensionit. Kriza financiare në tregjet botërore është një shtysë për të përkeqësuar këtë problem, ndaj këto vende duhet të marrin shumë shpejt në konsideratë rritjen e moshës së daljes në pension ose rritjen e vlerës së kontributeve që paguan secili punonjës. Në fakt, qeveria ka parashikuar të bëjë të kundërtën, të mos rrisë moshën e daljes në pension dhe të ulë vlerën e kontributeve. Për momentin vendi ynë e sheh këtë si zgjidhjen më të mirë, ndoshta edhe për shkak të pafuqisë së qeverisë për të mbledhur plotësisht kontributet ose edhe për shkak të faktit se rritja e vlerës së kontributeve mund të rëndonte edhe më shumë punonjësit, të cilët janë më të varfrit në Evropë. Banka Botërore tha se në të njëjtën kohë qeveritë e këtyre vendeve, përfshi Shqipërinë, duhet të motivojnë të rinjtë dhe të gjithë të punësuarit e tjerë të paguajnë sigurimet shoqërore. Drejtori për Çështjet Sociale dhe të Punës në Bankën Botërore, Robert Holtzman, tha se pa një paralele reformash në sektorin e punës dhe në tregjet financiare, edhe reforma më e mirë në koncept do të dështojë. Robert Holtzman tha se duhet gjithashtu edhe përkrahje e gjerë politike për këto reforma. Banka Botërore tha se reforma duhet të ndërmerret në shumë aspekte. Duhet një bashkëpunim mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punës, Bankës Qendrore, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të punojnë më gjatë, nëse munden, dhe të kenë siguruar për veten e tyre moshën e mëpasme. Ajo që në thelb kërkon Banka Botërore është që qeveritë të reformojnë plotësisht tregun financiar dhe tregun e punës, të rrisin mundësitë për punësim dhe të garantojnë pagueshmërinë e kontributeve nga të gjithë. Qeveria shqiptare reformën në fushën e pensioneve e ka parë në mënyrë krejtësisht mekanike dhe është kujdesur vetëm të rrisë pensionet në mënyrë modeste duke rritur njëherazi po në këtë mënyrë sasinë e të ardhurave nga kontributet. Qeveria nuk ka parë përtej kësaj dhe nuk është kujdesur që numri i vendeve të punës të jetë në nivele të tjera dhe mundësitë për të punuar më gjatë për ata që mundin të jenë më të mëdha.