E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transplanti i veshkave, sot ndërhyrja e parë në QSUT

Autori i Lajmit: red.
Çifti i parë i pacientëve janë një vajzë 20-vjeçare me dhurues nënën e saj 50 vjeç

Mjekët e QSUT-së pritet të realizojnë sot transplantin e parë të veshkave. Burime nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se pacientja, e cila do t i nënshtrohet ndërhyrjes së parë kirurgjikale të transplantit të veshkave është një vajzë 20- vjeçare, ku dhuruese është nëna e saj. Pavarësisht trajnimeve të kryera për realizmin me sukses të transplantim, mjekët shqiptarë të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, do të jenë nën asistencën e mjekëve italianë. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se, në varësi të kryerjes së kësaj ndërhyrjeje, ekipi i mjekëve parashikon të realizojë dhe një ndërhyrje tjetër transplanti, ku pacientja është po një vajzë e re, me dhurues babanë e saj.
Mjekët
Ekipi i mjekëve shqiptarë, i përbërë prej 6 neurologësh, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali). Transplanti i veshkave, si çdo operacion tjetër në QSUT, ofrohet falas për qytetarët. Këto ndërhyrje kirurgjikale realizohen në kuadër të Programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Evropian. Sipas mjekëve urologë, kanceri i veshkës po njeh rritje të dukshme gjatë viteve të fundit. Në Klinikën e Urologjisë pranë QSUT-së kryhen rreth 50 operacione në ditë, ku grup-mosha më e prekur është 40-60 vjeç, por nuk mungojnë dhe grup-moshat më të reja. Sipas mjekëve urologë, faktori gjenetik ka rolin e tij në kancerin e veshkave, por ka dhe faktorë të tjerë determinues.
Pengesat
Vonesa në realizimin e transplantit të veshkës në QSUT duket se ka mbetur peng i disa pajisjeve mjekësore. Ndërsa salla është bërë gati që në muajin tetor të vitit të kaluar, ende ka pajisje që mungojnë, pasi problemi nuk qëndron gjatë transplantit, por pas kryerjes së tij. Sipas informacioneve mësohet se mjekët e QSUT-së kanë pohuar dy ditë para kryerjes së operacioneve se mungojnë një pjesë e mirë e pajisjeve për periudhën pas operacionit, për pacientët të cilët do të kryejnë këtë transplant. "Salla e operacionit është gati për të kryer këtë ndërhyrje të rëndësishme, e cila është edhe një sfidë për ne. Por, problemi mbetet për kushtet dhe pajisjet mjekësore, të cilat kërkohen për periudhën e trajtimit të pacientëve pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale", - janë shprehur mjekë të shërbimit të nefrologjisë. Pritet të merren masat për sigurimin e këtyre pajisjeve në mënyrë që pacientët të mos kenë probleme.
Pacientët
Ky projekt i nisur prej vitesh pritet të ndërpresë edhe kurimet e shumta që bëhen jashtë vendit, si dhe të sjellë uljen e numrit të pacientëve, të cilët kryejnë hemodializën në QSUT dhe në rrethe. Njëkohësisht, shërbimi i Nefrologjisë po harton për herë të parë statistika të sakta për numrin e të sëmurëve me veshka, për të evidentuar sesa prej tyre do të kenë nevojë për transplant dhe sa të tjerë do të trajtohen me hemodializë. Sipas statistikave të deritanishme, mendohet se në Shqipëri vuajnë 163 pacientë nga sëmundja e veshkave, të cilët trajtohen me hemodializë, ndërkohë që 20 janë në gjendje kritike.
Dhuruesit
Dhuruesit e veshkës për të dyja vajzat janë prindërit, të cilët, sipas analizave, kanë rezultuar të jenë të përshtatshëm, në përfundimet e analizave të kryera më parë. Tashmë salla është gati, mjekët janë të trajnuar, stafi që do të punojë për këtë ndërhyrje të vështirë, është përcaktuar. Është përgatitur Laboratori i Imunologjisë, si dhe ai i Virologjisë e Bakterologjisë, për krijimin e kushteve të përshtatshme në mbrojtjen e pacientëve nga infeksionet. Komuniteti Evropian çeli fondin prej 7 milionë eurosh, për trajnimin, kualifikimin e mjekëve, blerjen e aparaturave, ngritjen e infrastrukturës për realizimin e transplantit të veshkave në vendin tonë.
Aparaturat
Pjesë e projektit italo-shqiptar, të ndarë në tri faza, ishte edhe vendosja e mamografive, ekografive, aparatura të tjera për ekzaminimin e tumoreve të sferës femërore, si tumori i qafës së mitrës, kanceri i gjirit. Të gjitha mamografitë, ekografitë, pajisjet ekzaminuese, u blenë nga projekti, u vendosën në spitalet e Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës. Për të përdorur këto aparatura, veç mjekëve u specializuan edhe teknikë, të cilët në rast defekti, duhet të rregullonin pajisjen. Aparaturat e sjella në Shqipëri ishin të teknologjisë së fundit, pajisje të firmave të njohura. Ndër 40 pajisje të tilla që ndodhen në të gjithë territorin e Italisë, gjenden vetëm 10 të ngjashme me ato të Shqipërisë, pjesa tjetër janë të një teknologjie me të vjetër. Brenda dy viteve, këto aparatura, u blenë, u montuan dhe u vendosën në katër qytete të vendit.
Mamografia
Brenda një periudhe njëvjeçare u ekzaminuan falas më shumë se 10 mijë femra në të gjithë vendin, nga të cilat një pjesë e mirë u konstatuan me probleme, në fazat e para. Nga këto ekzaminime ato arritën të trajtoheshin në kohën e duhur, duke mos rrezikuar më pas jetën, si pasojë e avancimit të sëmundjes dhe moskapjes në çastin e nevojshëm për trajtim.
Transplantet te privati
Në vendin tonë janë me dhjetëra pacientë në radhë për të pritur tansplantin e veshkave. Spitali Amerikan ka realizuar transplantin e veshkave me donatorë të gjallë në 5 pacientë, të cilët prej kohësh qëndronin në listën e pritjes. Gjithçka u arrit në sajë të bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe falë fondit të qeverisë shqiptare. Gjithashtu, pritet të realizohen rreth 15 transplante të veshkave në vit, me fondet e qeverisë.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›