E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2008 kredia për ekonominë, 50 për qind e parasë



Gjatë tre viteve të fundit, kreditimi i ekonomisë ka shfaqur rritje të qëndrueshme, duke treguar për mbështetjen më të madhe që sistemi bankar i ka dhënë zgjerimit të prodhimit dhe rritjes së aktivitetit ekonomik në vend. Gjatë kësaj periudhe, raporti i kredisë ndaj prodhimit të brendshëm bruto është rritur mesatarisht me 7 pikë përqindje në vit dhe shënoi rritjen maksimale me 8.2 pikë përqindje në vitin 2007. Në vitin 2008 ky raport u rrit me 7.3 pikë përqindje, duke arritur në 37 për qind. Kredia për ekonominë përbën rreth 50 për qind të parasë së gjerë dhe 47 për qind të aktiveve të sistemit bankar. Kredia për ekonominë gjatë vitit 2008 është zgjeruar me ritme vjetore më të ngadalta se një vit më parë, mesatarisht me 44 për qind 70. Megjithatë, në vlerë absolute ritmi vjetor i zgjerimit të kredisë për pjesën më të madhe të vitit ka ardhur në rritje, duke pasqyruar përfshirjen më të madhe të bankave në kredidhënie, si dhe përmirësimin e treguesve të ndërmjetësimit. Në muajin dhjetor 2008, kredia për ekonominë pasqyroi rritjen më të ulët mujore të viteve të fundit, duke reflektuar problemet e bankave për gjetjen e likuiditetit, shtrëngimin e kushteve të kredisë si dhe një kërkesë më të ulët për kredi. Për herë të parë gjatë 5 viteve të fundit, në muajin dhjetor, zgjerimi vjetor i kredisë u reduktua dukshëm në terma absolutë, duke shënuar një normë rritjeje vjetore në 35 për qind. Në përgjithësi, i gjithë viti 2008 është karakterizuar nga shtrëngimi i kritereve (standardeve) të kredidhënies në përgjigje të masave rregulluese të marra nga Banka e Shqipërisë. Por, në pjesën e dytë të vitit, vihet re një shtrëngim i standardeve të kredisë më i madh se sa pritej. Një faktor tjetër që ka ndikuar në reduktimin e kërkesës për kredi është dhe pasiguria për të ardhmen e aktivitetit ekonomik në vend, si dhe pasiguria për ecurinë e të ardhurave të agjentëve ekonomikë. Zhvillimet në strukturën valutore të kredisë gjatë vitit 2008, treguan një zhvendosje të lehtë të portofolit të kredisë drejt asaj në valutë. Në pjesën më të madhe të vitit, kredia në valutë është rritur me ritme vjetore të larta dhe të qëndrueshme; prej mesatarisht 50 për qind. Portofoli i kredisë në valutë, sikurse edhe një vit më parë, u dominua nga kreditimi në euro, i cili përbën 90 për qind të tepricës së kredisë në monedhë të huaj. Preferenca për kredinë në valutë ka vazhduar të mbështetet nga interesa më të ulëta të ofruara për kredinë në valutë.

Kredia në lekë rritet me 35 për qind

Kredia në lekë në gjithë tremujorin e katërt të vitit 2008 pasqyroi një rritje të moderuar të normës vjetore të rritjes në 35 për qind, duke u barazuar me atë të kredisë në valutë. Tkurrja e ndjeshme e rritjes vjetore të portofolit të kredisë në valutë, dëshmoi për vështirësitë e bankave për sigurimin e likuiditetit në valutë, të ndikuara jo vetëm nga mungesa e tij në tregun ndërkombëtar, por edhe nga tërheqjet më të larta të depozitave në valutë. Kjo situatë i ka detyruar bankat të bëjnë një rivlerësim më të mirë të rrezikut të kredisë, si dhe të jenë më të kujdesshme në zgjerimin e aktivitetit kreditues në monedhë të huaj. Bizneset kanë qenë klientët më të preferuar të bankave edhe gjatë vitit 2008. Portofoli i kredisë për biznese tregoi një rritje të lartë dhe të qëndrueshme gjatë pjesës më të madhe të vitit; mesatarisht 44 për qind. Bankat kanë kredituar më shumë bizneset për mbulimin e nevojave për likuiditet dhe për financimin e investimeve në pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, kredia për investime në makineri ka vijuar ngadalësimin e ritmeve të rritjes, në linjë me tendencën rënëse të vërejtur gjatë vitit 2007. 63 për qind të shënuar gjatë vitit 2007 - ka rritur peshën e kredisë për ndërtimin në totalin e kredisë për biznese me 2 pikë përqindje, në mesatarisht 22 për qind për 2008-ën. Kredia për sektorin e tregtisë është rritur me ritme pothuajse të njëjta me një vit më parë, duke ruajtur të pandryshuar peshën në portofolin e kredisë për biznese, në 38 për qind. Me gjithë zhvillimet pozitive për pjesën më të madhe të vitit, këta dy sektorë, në dy muajt e fundit të vitit shfaqën ngadalësim të dukshëm. Kredia për sektorin e industrisë gjatë vitit 2008 është rritur me ritme më të ngadalta se një vit më parë, mesatarisht 37 për qind. Për pasojë, në fund të vitit, pesha e kredisë për këtë sektor është zvogëluar me 1 pikë përqindje, duke arritur në 25 për qind të portofolit të kredisë për biznese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›