“Transport falas për çdo nxënës”
Kryetari socialist duke përuruar fushatën e vullnetarëve të PS-së në të gjithë Shqipërinë nga qyteti i Vlorës ka zbuluar dhe pjesë të programit të PS-së për rininë dhe arsimin. “Mjete transporti falas për të gjithë fëmijët, nxënës shkollash nga Veriu në Jug”, tha dje Rama. Duke hapur turin e takimeve të rrjetit të vullnetarëve të PS Rama tha se: “Ne do t’i japim çdo fëmije mundësinë e barabartë për shkollim, pavarësisht nëse ka lindur në Tiranë apo në fshatrat e Hasit ose Mallakastrës. Asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra, asnjë prind që nuk blen dot librat e fëmijës për shkak të varfërisë nuk do ta mbetet pa ndihmë dhe asnjë zonë rurale nuk do të mbetet pa mësues. Pas 142 ditësh do të fillojë fundi i njëshkolonave migjeniane të kalamajve, që në shi e dëborë ecin me orë të tëra, për të mbërritur shkollën. Kudo që do të ketë fëmijë për të shkuar në shkollë më shumë se 20 minuta në këmbë, do të jemi ne që do t’i transportojmë falas, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri fëmijësh me abetare e një Shqipëri fëmijësh pa abetare, sepse atdheu ynë s’mund të jetë prind për disa fëmijë e njerk për disa fëmijë të tjerë, sepse qeveria e bashkimit të ri të qytetarëve do të jetë qeveria e parë e këtij vendi, që do t’i shohë fëmijët e qytetit e të fshatit si fëmijë të barabartë të Republikës së Shqipërisë”, tha dje Rama.