E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësohet leku, Fullani takim me zyrat e këmbimit

 

Fabiola Çela

Monedha shqiptare ka humbur dje sërish pikë ndaj euros dhe dollarit amerikan. Në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 98.6 lekë dhe u shit me 99.1 lekë, ndërsa një euro u ble me 126.1 lekë dhe u shit me 126.6 lekë. Që nga fillimi i këtij viti leku është zhvlerësuar ndaj monedhës evropiane dhe dollarit amerikan. Sipas ekspertëve të ekonomisë, zhvlerësimi i lekut ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë në treg për monedhën evropiane. Ndërkohë një tjetër faktor është edhe ulja e normës bazë të interesit, që bëri banka në fund të janarit. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.75 për qind.
Fullani
Kreu i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar dje një takim me drejtues të agjencive të këmbimeve valutore. Sipas Fullanit, që prej vitit 2000 numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është 10-fishuar. Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse. Vetëm në periudhën qershor 2007-dhjetor 2008 janë paraqitur dhe është dhënë miratimi për 136 raste licencimi të zyrave të këmbimit valutor. Gjatë takimit Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe ecurinë e tij. "Pavarësisht rritjes së peshës së tregut ndërbankar dhe rolit gjithnjë e më të madh që bankat e nivelit të dytë po luajnë në gjenerimin e likuiditetit dhe përcaktimin e çmimit në këtë treg, Banka e Shqipërisë vazhdon ta shohë si të nevojshëm rolin tuaj në rritjen e efeciencës së mëtejshme në mënyrën e funksionimit të tregut valutor", është shprehur ai. Gjithashtu Guvernatori evidentoi faktin se në ecurinë e kursit të këmbimit është reflektuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta, duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet makroekonomike në vend.

kursi

Dollari
u ble me 98.6 lekë
u shit me 99.1 lekë

Euro
u ble 126.1 lekë
u shit 126.6 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›