E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot dita më e nxehtë, temperatura e ajrit 39 gradë Celsius

Sot në vendin tonë, temperaturat që do të regjistrojë termometri do të jenë më të lartat e kësaj vere. Sipas parashikimit të meteorologëve, dita e sotme do të jetë më e nxehta e kësaj jave, kur temperaturat e ajrit do të shënojnë 39 gradë Celsius. Moti do të jetë i nxehtë dhe i kthjellët, dielli i fortë dhe ajri pothuajse "mbytës". Por nga ana tjetër, sinoptikanët sqarojnë se pavarësisht temperaturave të larta që do të regjistrohen sot në të gjithë vendin do të kemi edhe një lajm të mirë. Në fundjavë, përkatësisht të shtunën dhe të dielën temperaturat do të zbresin me disa gradë Celsius, ndërkohë që nisja e javës së re do të jetë më e freskët. Aktualisht në vendin tonë, temperaturat e regjistruara kanë qenë tepër të larta si pasojë e qarkullimit të rrymave ajrore afrikane. Presioni i këtyre rrymave të nxehta që ka mbizotëruar në rajonin tonë ka bërë që moti të jetë i nxehtë, temperaturat e larta dhe rreze shumë të forta dielli.

Nisur nga kjo, Drejtoria e Shëndetit Publik, mjekët në poliklinika këshillojnë regjim dhe kujdes për sa i takon shëndetit.

Sot në ditën më të nxehtë të verës, të regjistruar deri tani duhet të evitohen daljet pas orës 10:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 të pasdites. Moshat e treta, pacientët kronikë, fëmijët e vegjël duhet të bëjnë kujdes të mos marrin urbanin, të mos dalin nga shtëpia në vapën e madhe. Po ashtu kujdes duhet të tregohet me ambientin, të freskohet, pastrohet, ventilohet.

Dieta ushqimore duhet të jetë e lehtë e pasur me lëngje, vitamina, fruta dhe perime. Rrobat që veshim duhet të jenë të lehta dhe materiale pambuku. Këshillohet konsumi mesatar i 2 litrave ujë në ditë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›