E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti urban, kushte të reja për licencat

 

zirina llambro

Brenda vitit 2008 kushtet e transportit urban do të ndryshonin rrënjësisht. Ky ishte premtimi i Bashkisë së Tiranës, i shkruar e zezë mbi të bardhë edhe në prioritetet e bëra publike prej krerëve të tij. Por siç dihet nga të gjithë qytetarët, asgjë nuk ka ndryshuar. E vetmja e re për këtë vit ishte rritja e çmimit të biletës nga 20 në 30 lekë. Linjat urbane vijojnë të jenë jashtë çdo standardi. Njerëzit shtypen e ngucen në dimër, ndërsa në verë të hipësh në autobus nuk është çudi të të bie infarkt nga mungesa totale e ventilimit dhe fluksi i qytetarëve. Por për vitin që vjen pritet që gjërat të ndryshojnë disi. Do të jetë Këshilli Bashkiak ai që do të përcaktojë kushtet e reja të dhënies së licencave për linjat e transportit urban. Bashkia ka çuar tashmë propozimet përkatëse. Burime të sigurta nga Këshilli bëjnë me dije se, nga sa është përcaktuar në projektvendim personi juridik apo fizik që kërkon të licencohet do të jenë 4. "Bëhet fjalë për reputacionin e mirë, gjendjen e përshtatshme financiare, kompetencën profesionale, si dhe zotërimin e mjeteve të transportit rrugor me motor, në numrin dhe gjendjen teknike të kërkuar", pohuan burimet nga Këshilli Bashkiak. Por brenda secilës prej tyre janë edhe specifikimet përkatëse. Në rastet kur aplikanti është një person që nuk ka kompetencë profesionale, ai mund të emërojë një person tjetër që plotëson kërkesat e reputacionit dhe të kompetencës profesionale. Kjo për të  menaxhuar efektivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme operacionet e transportit të ndërmarrjes. Sa i përket numri të autobusëve do të jetë zyra e licencave në Bashkinë e Tiranës, e cila në bazë të frekuencës së udhëtimit vendos se sa do të jenë. "Numri i autobusëve në transportin e udhëtarëve në linja të rregullta,  përcaktohet nga zyra e licencave në bazë të distancës së udhëtimit dhe mjeteve rezervë që duhet të ketë ndërmarrja e transportit", sqaruan burimet nga Këshilli Bashkiak. Nga studimet e kryera prej specialistëve të transportit, rezulton se linjat publike përdoren çdo ditë nga plot 46 për qind e kryeqytetasve. Ndërsa, rreth 32 për qind e qytetarëve i përdorin linjat urbane 1 herë në javë. Pas rritjes së çmimit të biletës dhe kartave të pajtimi mujor, shoqata e transportit qytetas premtoi ndërhyrje edhe në cilësinë e shërbimit që ofrohet. Por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Praktikisht duhet të jenë Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve ato që duhet të përcaktojnë kushtet që duhet të plotësohen për të ofruar të paktën kushtet minimale në linjat urbane. Për aq kohë sa këto institucione nuk kanë shumëvramendje për këtë problem të përditshëm të qytetarëve, firmat private do të vijojnë të bëjnë të paditurin.

Disa nga kushtet

    Gjendja e përshtatshme financiare,

    Kompetenca profesionale,

    Zotërimin e mjeteve të transportit rrugor

    Gjendja teknike e nevojshme

    Standardet e shërbimit

    Numri i autobusëve sipas distancave të udhëtimit

    Automjet rezervë që duhet të ketë ndërmarrja e transportit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›