E Diel, 1 Nëntor 2026

ZMQ: Nga biletat e urbanëve fitohen 7 milionë dollarë

 

Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, çdo vit me biletat dhe abonetë e pasagjerëve kompanitë private fitojnë 7 milionë dollarë. Sipas studimit të  kësaj organizate, rezulton se pavarësisht numrit shumë të madh të pasagjerëve, të cilët udhëtojnë çdo ditë në Tiranë, që përfaqësojnë 21 milionë dollarë të ardhura, kompanitë private deklarojnë humbje, që e bëjnë të pamundur ofrimin e këtij shërbimi. ZMQ bën fajtore Bashkinë e Tiranës për cilësinë e transportit publik. "Ndërsa kostoja e këtij shërbimi, duke marrë maksimumin e shpenzimeve të presupozuara, sikur autobusët të rrojnë 5 vjet dhe të jenë blerë të paktën 45 000 euro/copa, shkon maksimumi 14 milionë dollarë", thuhet në studimin e ZMQ. Sipas studimit, me një llogari e thjeshtë, nëse çdo orë pune në Shqipëri vlen të paktën 1 dollar në pagën mesatare, transporti i aktual i dëmton çdo vit qytetarët e vet mbi 8 milionë dollarë në vit. "Pa iu referuar shumë e shumë të dhënave të tjera, dëmi i vërtetë që iu bëhet qytetarëve të Tiranës do të jetë rritja e biletës me 50%, e cila nëse do të bëhet 30 lekë, do të sjellë një dëm vjetor të paktën prej mbi 10 milionë dollarësh të tjera, duke e kthyer biznesin e udhëtarëve në Tiranë një nga bizneset më fitimprurëse të Shqipërisë", sqarohet në letrën publike të ZMQ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›