Vuante nga sëmundje nervore, vetëvaret 63-vjeçari nga Mallakastra
Një 63-vjeçar është gjetur i vetëvarur dje rreth orës 19 e 30 minuta, në fshatin Klos të Mallakastrës. Kanë qenë të afërmit e familjes ata që kanë gjetur në kasollen e bagëtive Arshi Canajn 63 vjeç të varur. Çdo përpjekje për ta sjellë në jetë ishte fare pa dobi, 63-vjeçari kishte vdekur në vend nga shtrëngimi i fortë. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, të cilët kryen dhe veprimet e para procedurale. Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e kufomës rezultoi se mbi trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Sipas deklarimeve të familjareve dhe të të afërmve, viktima prej rreth 12 vjetësh kurohej nga sëmundje nervore dhe kishte 12 ditë që kishte dalë nga Spitali Psikiatrik i qytetit të Vlorës. Gjatë ecurisë së hetimit rezultoi se ai ka shfaqur edhe herë të tjera tendenca të vetëvrasjes. Materialet procedurale lidhur me ngjarjen, i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Ky është një tjetër rast i dhimbshëm vetëflijimi në Mallakastër, që e ka çuar në 32 numrin e personave që i kanë dhënë fund jetës në rrethana të ndryshme: me armë zjarri, me fostoksinë apo edhe me vetëvarje në qarkun Fier.