E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transvestitët kafshojnë policin

Një incident i pazakontë ndodhi dje, në hyrje të Gjykatës së Tiranës. 

Fatos Mahmutaj

Transvestitët që ishin mbledhur në mbështetje të dy të arrestuarve për ushtrim prostitucioni në vende publike, sulmuan një efektiv të policisë dhe kërcënuan një prokuror të kryeqytetit. Viktimat e sulmit ishin polici që shërben te dera e gjykatës dhe një prokuror, që ndodhej duke kryer detyrën në hyrje të institucionit. Të mbledhur para hyrjes së Gjykatës së Tiranës, gjatë paradites së djeshme transvestitët nisën të shanin dhe fyenin të gjithë personat e pranishëm aty, duke sfiduar në këtë mënyrë autoritetin e dhjetëra policëve të kryeqytetit. Protesta e tyre vazhdoi me sharje dhe fyerje derisa dy prej tyre, Rajmonda Veizi dhe Briken Lika, u nxorën në oborrin e Gjykatës për t’u transportuar me furgonë, pasi gjyqtari i gatshëm kishte vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për ta, nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit në vende publike. Në këtë moment turma e transvestitëve bllokoi portën e gjykatës dhe nisi të sulmonte furgonin e policisë, ku ndodheshin dy shokët e tyre. Aty ata hasën në përballjen e ashpër me policin rojë të gjykatës, i cili u përpoq t’i qetësonte. Njëri prej tyre, që thërritej “Anxhela” pasi e qëlloi policin në fytyrë i kafshoi atij gishtin e vogël të dorës së djathtë duke i shkaktuar dëmtime dhe rrjedhje gjaku. Në të njëjtën kohë, pjesa tjetër e turmës sulmoi një prokuror, që ndodhej në gjykatë për një tjetër proces gjyqësor. Policët e togës së shoqërimit pas kësaj ndërhynë duke bërë që turma e transvestitëve të shpërndahej, duke vrapuar përgjatë Lanës. Pas kësaj polici mori mjekime për të ndaluar gjakderdhjen, ndërkohë efektivë të tjerë të policisë së kryeqytetit, që mbërritën në gjykatë nisën kërkimin për të gjetur dhe arrestuar transvestitët nën akuzën e dhunimit të punonjësit të policisë, sharje, fyerje dhe kërcënimin e prokurorit si dhe organizimin e protestave të paligjshme. Ndërsa dy të arrestuarit reaguan nga furgoni i policisë ku ndodheshin, por prangosja e tyre me duar pas shpine bëri që protesta e tyre të mbeten në kuadrin e sharjeve ndaj policëve që i shoqëronin. Në disa momente të dhunshme transvestitët e grumbulluar para gjykatës sulmuan edhe familjarët e disa të arrestuarve të tjerë, që u zhvilloheshin në gjykatë masat e sigurisë. Por ndërhyrja e policisë bëri që ata të neutralizoheshin. Prokurori që u sulmua dje nga homoseksualët ndodhej në gjykatë për të përfaqësuar akuzën në një çështje tjetër ndërsa, turma e protestuesve duke kujtuar se ai ishte prokuror i çështjes së transvestitit dhe prostitutës së arrestuar e fyen dhe shanë atë, madje edhe e kërcënuan, duke pretenduar se ai u kishte burgosur dy anëtarët e shoqatës.
 

Transvestitet, dyshohen se mbartin HIV
Transvestitët e arrestuar si dhe anëtarët e tjerë të shoqatës së homoseksualëve dyshohet se mbartin viruse të sëmundjeve të rrezikshme. Të paktën këta janë përfolur si mbartës të virusit HIV para një viti kur u arrestuan, por pasi iu nënshtruan analizave rezultoi e kundërta. Gjatë shoqërimit të tyre dje në gjykatë policët kryeqytetas mbanin në duar doreza plastike në mënyrë që të shmangnin kontaktet me ta.

Transvestitët u arrestuan një vit më parë

Një vit më parë, pesë transvestitë, anëtarë të shoqatës së homoseksualëve, përfshi edhe kreun e shoqatës, u prangosën për ushtrim prostitucioni dhe kryerje veprash të turpshme në publik. Ata u dënuan me pak muaj burg, ndërsa pas dënimit iu rikthyen të njëjtit aktivitet në qendër të kryeqytetit, duke u bërë në këtë mënyrë burim infeksioni dhe sëmundjesh të rrezikshme, seksualisht të transmetueshme. Që pas përfundimit të dënimit ata janë shoqëruar mjaft herë në polici, pasi sulmojnë qytetarët, kryesisht djem të rinj që kthehen pas mesnate nga pub-et në gjendje të dehur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›