E Diel, 1 Nëntor 2026

Tranzicioni na mësoi që politika është biznesi më i mirë

Pas furtunës së reagimit të parë, dhe pas një tërheqjeje duket të menduar nga ana e rektorit T.Shaska, çështja e heqjes së emrit Ismail Qemali nga Universiteti i Vlorës, shfaqet përsëri si temë e ditës. Këtë situatë e ndihmoi veprimi i fundit i rektorit, që ndonëse shpalli një lloj “mea cupla”, në fakt duke iu shmangur thelbit të çështjes, dhe duke kërkuar falje vetëm për shqetësimin që u krijoi qytetarëve, iu rikthye pozicionit të tij duke bërë edhe fshirjen e emrit të Ismail Qemalit nga website i universitetit.

Veprimi i fundit i rektorit, duket se e rrezon argumentin, “rektori është nxituar, apo është nisur nga një qëllim i mirë”.

Ditët e fundit janë shtuar shumë zërat pro nismës së rektorit. Këta zëra paraqiten kaq të orkestruara dhe aq në unison, sa nuk është çudi që shumë shpejt, dega e PD në Vlorë, të dalë me një deklaratë që nisma e rektorit të zgjidhet me një lloj votimi/referendum të studentëve që priten të vijnë në sezonin e ri. Pra, sipas PD, problemi thjeshtohet, sepse zgjidhet në formë demokratike, me votim të studentëve, siç u votua edhe nga Senati.

Edhe kundërshtimi “emocional” i deputetit Leskaj, rrëzohet nga forca e urdhrit të partisë, aq më shumë që vetë ky deputet, mund të tërhiqet apo të heshtë ndaj deklarimit të mëparshëm, siç edhe ka bërë në të kaluarën, p.sh., me deklarimin e tij të fortë kundër Parkut Energjetik në Vlorë. Në rastin e votimit, gjasat janë që, për shumë arsye, të fitojë propozimi i rektorit.

Duke i kthyer argumentit të marketingut për universitetin, (si argument kryesor i përdorur nga rektori Shaska), më e pakta që mund të thuhet është “zero me xhufkë”. E kundërta flet në favor të një marketing-u politik të rektorit Shaska, marketing politik në favor të PD që e “katapultoi” atë nga SHBA, por edhe marketing politik për veten e tij, të dyja këto aspekte në funksion të fushatës së ardhshme elektorale.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme - si pinjoll i një familjeje të quajtur e djathtë, krah i cili aktualisht dominon edhe degën e PD në Vlorë, por edhe si djali i një ish-kryetari të degës PD në Vlorë, rektori duket i ka bërë mirë llogaritë.

Nuk ka nevojë të shkosh në SHBA e të mësosh atë që ne shqiptarët e kemi mësuar sidomos gjatë këtyre viteve të tranzicionit: politika është biznesi më i mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›