Trashëgimtarët bastardë të pronarëve të vjetër
Realiteti
Mbas gati dy dekadash shkatërruese bilanci aktual i raportit pronë-pronar është jashtëzakonisht negativ. Dëmi është kolosal, për arsye se klasa politike dhe pushtetarët me ndërgjegje shkatërruan nocionin e shenjtërisë së pronës. Dokumentet e dikurshme hipotekare, të cilat edhe vetë diktatori nuk pati kurajën t’i ekzekutonte e t’i zhdukte, ato dokumente, që edhe ai me gjithë tërbimin dhe alergjinë që kishte ndaj çdo forme të pronës private i respektoi duke i ruajtur të paprekura e të pacenuara deri në 1990, ato dokumente hipotekare kjo klasë e fëlliqur politike dhe e shitur i katandisi që të kenë vlerë më pak se një letër higjienike. Kjo për dy arsye, për të mos lejuar që klasa e pronarëve të mëkëmbet përsëri si shtresë dhe që prona të mbetet jetime, në mënyrë që edhe abuzimet mbi të ishin më të lehta. Të dyja këto qëllime janë realizuar në mënyrë perfekte, sepse sot pronar bëhet çfarëdolloj batakçiu apo krimineli dhe pronari i vërtetë jo, hallkat e pushtetit ndihmojnë çfarëdolloj batakçiu e krimineli për të abuzuar me dokumentacionin deri edhe në hipotekim pronash pa asnjë lloj dokumenti origjinal ose me dokumente të falsifikuara dhe i nxjerrin me mijëra pengesa pronarit të ligjshëm. Aktualisht, ligjet e hartuara e që hartohen akoma kanë bërë që sot të abuzohet fare haptas me pronën, kanë bërë që batakçinjtë të abuzojnë hapur në kundërshtim me ligjet, sepse janë të sigurt se nuk do të dënohen, sepse politikanët e majtë e të djathtë kanë vendosur një mirëkuptim të heshtur, që në këtë drejtim nuk do ta cenojmë njëri-tjetrin. Kjo lehtësohet edhe nga grindjet që politika futi midis trashëgimtarëve të pronarëve deri edhe në vrasje midis tyre.
Realisht, kjo gjendje katastrofike në drejtim të pronës po pasqyrohet më mirë në zonat bregdetare, sidomos në zonën e Rivierës, nga Vlora deri poshtë Butrintit. Janë dy dekada shkatërrimi në çdo drejtim, por më e keqja po ndodh në ditët e sotme. Ndërtimet masive përgjatë bregut po e shpërfytyrojnë atë dhe kushdo është i lirë dhe mund të ndërtojë ku të dojë e si të dojë, sidomos pas deklaratave armiqësore të ish-kryeministrit socialist, pasojat shkatërrimtare të së cilës shihen qartë sot në bregdet. Ishin ato që i dhanë një stimul të llahtarshëm ndërtimeve pa leje, duke zhdukur në këtë mënyrë një perspektivë, por nga ana tjetër ky veprim e ktheu këtë “zotni” në borxhli të drejtpërdrejtë ndaj pronarëve të bregut. Kjo edhe për faktin se prona e tyre u la pa pronar pikërisht për ta degjeneruar në këtë mënyrë. Më e tmerrshmja do të jetë, kur të merret vesh se sa sipërfaqe nga pronat e pronarëve të ligjshëm janë shitur dhe tjetërsuar, sepse Shqipëria është i vetmi shtet në botë, ku shitet e blihet me dokumente false.
Reagimi i pronarëve
Reagimi i pronarëve në drejtim të mbrojtjes dhe marrjes së pronës së tyre gjatë këtyre dekadave ka qenë spontan, me një amplitudë që pothuajse është shuar fare sot. Kjo gjendje ka edhe justifikimin e vet deri në njëfarë mase, sepse asnjë mendje normale njerëzore nuk mund ta parashikonte e ta besonte se një shtet mund të abuzojë deri në këtë shkallë me një nga të drejtat më themelore të botës së sotme demokratike, atë të pronës private. Dhe aq më tepër nuk mund të besonin se këto abuzime do të bëheshin nën miratimin e heshtur të organizmave të tilla si FMN apo Banka Botërore, përfaqësuesve të të cilave në Shqipëri iu shkojnë “jargë” nga goja, kur segmente qeveritare, për t’ua mbyllur atë, iu ofrojnë ndonjë copë tokë në bregdet. Dhe këtë gjë nuk mund ta parashikonin e ta besonin edhe pronarët. Por sot, që gjithçka është e qartë dhe abuzimet po bëhen fare hapur, sot që pronarëve po iu rrëmbehet prona dhe po tjetërsohet në mënyrë të llahtarshme, sot atyre nuk iu falet që po rrinë pa reaguar. Dhe këtë reagim duhet ta bëjnë, jo vetëm për veten e fëmijët e tyre, por edhe në respekt të atyre baballarëve dhe gjyshërve që u torturuan, u burgosën, u vranë e u sakatuan nga diktatura, nga baballarët e këtyre pinjollëve që po na e rrëmbejnë përsëri sot pronën. Në qoftë se do ta lejojmë këtë grabitje sot në demokraci, nga frika apo nga ndonjë arsye tjetër, do të na bëhet haram gjaku që kemi trashëguar nga ata.
Shoqatat
Shoqatat kanë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për gjendjen poshtëruese në të cilën gjendet sot prona dhe pronarët, veçanërisht ajo bregdetare. Sidomos një përgjegjësi të madhe kanë dy shoqatat, ajo “Pronësi me Drejtësi” në përgjithësi dhe shoqata “Bregdeti” në veçanti për zonën e Bregut të Detit. Jemi dakord se ka patur vlerë deri diku lufta e tyre në drejtimin ligjor, por ajo ka qenë një luftë në një drejtim që nuk i ka prishur fare punë pushtetit të abuzojë me pronën në çdo mënyrë. Me këtë formë kundërshtimi nga ana e shoqatave është llogaritur nga pushtetarët që edhe odiseja e pronave të mbarojë, atëherë kur për pronarët të mos ketë mbetur më gjë me vlerë për të marrë.
Në anën tjetër, dëmi i shoqatave ka qenë shumë i madh. Ato dëmin më të madh e kanë bërë duke tulatur shpirtin dhe energjitë e pronarëve, sidomos atij himarjot të Bregut të Detit. Ato tulatën shpirtin kryengritës dhe rebel të himarjotit ndaj çdo padrejtësie, të parët e të cilit, pasi e mbrojtën tokën e tyre përmes shekuj luftërash, sot duhet “ të ngrihen nga varret” e të bëjnë sehir se si pinjollëve të tyre atë pronë sot po ua merr në paqe çfarëdolloj hajduti. U harruan mitingjet e para, kur pas shoqatave shkonte pothuajse e gjithë shtresa e pronarëve, kur sheshet mbusheshin nga pronarët dhe trashëgimtarët e tyre. Tkurrja filloi shumë shpejt duke i futur ata për mitingje nëpër salla e pallate sporti me demonstrime pa asnjë lloj vlerë dhe pa asnjë dëm për pushtetin. Në këtë fazë filloi dhe thyerja e madhe. Në vend që protestat të ashpërsoheshin në përpjesëtim me fluksin e rritjes së abuzimeve me pronat, ato u denigruan fare duke ia shtuar më shumë dozën e sigurisë pushtetit për të vjedhur pronat tona. Janë të respektuar Rrapo Danushi dhe Vangjel Llazari për qëllimin që kanë dashur të realizojnë, sepse, për sa i përket realitetit dhe rezultateve, dëmi i punës së tyre ka qenë i madh në drejtim të pronës. Pikërisht për këtë edhe misioni i tyre kishte përfunduar me kohë dhe stafetën duhet t’ia kishin lënë në dorë një brezi më të ri, më të pa-molepsur nga hija dhe frika që ata përjetuan në diktaturë. Sepse u krijua përshtypja sikur këta kënaqësinë më të madhe e kishin për të lëshuar “bubullima” pa zarar për hajdutët në pushtet se sa të ngrinin pronarët në këmbë në mbrojtje të pronës. Brezi i tyre nuk e tregoi veten në lartësinë e trashëgimisë që ata kishin, sepse nuk mund të shpjegohet që kanë frikë dhe nuk kanë guxim të reagojnë e të protestojnë, me të gjitha mjetet, kur në të njëjtën kohë kërcënojnë shtetin për të marrë pronë në mënyrë të paligjshme të gjithë ata që nuk kanë asnjë të drejtë morale e ligjore, duke filluar nga Bathorja, Kukësi apo para disa kohësh ata në Orikum dhe Ksamil, që kërkojnë hipotekime pronash me anë të Ligjit 7501, duke kërcënuar shtetin me gjuhën e dhunës. Në të njëjtën kohë që protesta të tilla shoqatat tona nën udhëheqjen e tyre patën frikë dhe nuk mundën t’i bënin. Nga frika apo nga ndonjë arsye tjetër, kjo ndoshta do të mbetet enigmë. Por fakt është se realiteti që trashëguan shoqatat nga udhëheqja e tyre për gati dy dekada është i hidhur.
Shoqatat dëmin më të madh e kanë bërë duke tulatur shpirtin dhe energjitë e pronarëve, sidomos atij himarjot të Bregut të Detit. Ato tulatën shpirtin kryengritës dhe rebel të bregasit ndaj çdo padrejtësie, të parët e të cilit, pasi e mbrojtën tokën e tyre përmes shekuj luftërash, duhet “ të ngrihen nga varret” e të bëjnë sehir se si pinjollëve të tyre atë pronë sot po ia merr në paqe çfarëdolloj hajduti.
Partia Republikane
Fakt tjetër që i vë përpara përgjegjësisë drejtuesit e këtyre shoqatave janë edhe marrëdhëniet që ato ndërtuan me Partinë Republikane. Që në momentin e parë që u konstatua që kjo parti vuri interesat e saj mbi ato të pronarëve, që në momentin që u bënë të qarta flirtet që kjo parti bënte për të siguruar pushtet, për të marrë edhe ajo një copë nga torta e pronave tona, shoqatat duhet të kishin ndërprerë çdo lloj marrëdhënieje me të. Rast flagrant që tregon se si kjo parti shiti interesat e pronarëve, është edhe momenti aktual i kësaj qeverisjeje, ku Partia Republikane ka një përqindje deputetësh, me anë të të cilëve mund të detyrojë PD t’u kthejë pronën pronarëve të ligjshëm. Deri tani kjo gjë nuk ndodhi duke bërë të qartë faktin se republikanët, ose kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve kolonë e pestë në dëm të interesave të pronarëve, ose janë idiotë dhe nuk e kuptojnë se duke detyruar tani pushtetin t’i kthejë pronën pronarit, do të fitojë më shumë deputetë nga sa u “fali” PD. Ata e dinë shumë mirë se sipas statistikave të diktaturës, në regjistrimet e vitit 1945, vetëm bejlerë e agallarë figurojnë mbi 15% e popullsisë dhe fshatarë të pasur mbi 30%. Sikur gjysma e këtyre të votojnë për republikanët, do të jetë një përqindje që kjo parti do ta kishte përgjithmonë të saj. Por këtë ajo duhet ta meritojë dhe momenti i përshtatshëm për të realizuar këtë ishte tani. Madje kaloi dhe republikanët e humbën edhe këtë shans. Ata zgjodhën një post ministri për të shpërblyer presidentin e tyre të “nderit” duke i bërë të bijën ministre sesa interesat tona, interesat e pronarëve. Me këtë veprim “presidenti i nderuar” Godo humbi edhe atë pakëz respekt që ne ruanim akoma për të. Shpresojmë se me këtë fakt, edhe besimi i baballarëve tanë, i atyre që drejtojnë akoma shoqatat tona, te republikanët si një parti që mbështet pronën private të bazuar në trashëgiminë që rrjedh në bazë të Kushtetutës, kësaj radhe do të zhduket njëherë e përgjithmonë. Sot nuk është i fshehtë fakti se Godo i ka rregulluar problemet e tij të pronësisë. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse baballarët tanë nuk duhet të shkonin pas tyre.
Për sa i përket kryetarit të grupit parlamentar të PR, nuk ia vlen të merremi, sepse për ne ai përfaqëson vetëm një gramafon të prishur, por që ai, siç duket, nuk e kupton. Shpresojmë se do ta kuptojë që me brezin tonë nuk mund të sillet si me baballarët tanë, as ai e as ata që përmendëm më sipër. Boll më!
Perspektiva
Kohët e fundit janë bërë ndryshime në drejtimet e shoqatave, më parë në atë “Pronësi me Drejtësi” dhe tani së fundi në atë “Bregdeti”. Kryesia e re shoqatës “Pronësi me Drejtësi” vazhdon përsëri në rrugën e parë pa dhënë asnjë alternativë apo mundësi tjetër. Fjalë qarkullojnë se ata zotërinj i kanë rregulluar deri diku punët për pronat e tyre dhe kjo bën që ata të ruajnë relatat me shtetin. Ndoshta pikërisht për këtë ata “mundohen e sfiliten” akoma t’u mbushin mendjen pushtetarëve hajdutë, se ligjet që ata po nxjerrin nuk janë në të mirë të pronës dhe pronarëve!
Edhe kryesia e re shoqatës “Bregdeti” nuk ka bërë asnjë lëvizje nga rruga e ndjekur deri tani nga kjo shoqatë. Edhe artikujt e fundit të kryetarit të shoqatës vazhdojnë t’i bien fyellit po në të njëjtat vrima duke lënë një shije të hidhur zhgënjimi tek anëtarët e shoqatës, sidomos të brezit tonë të ri të anëtarëve, i cili me ndryshimin e kryesisë shpresonte se aktiviteti i saj do të merrte një drejtim tjetër, atë të një reagimi më agresiv.
Pikërisht për këtë arsye, ne, një grup anëtarësh të shoqatës “Bregdeti”, që i përkasim brezit të dytë të trashëgimtarëve ose më saktë, jemi nipërit e pronarëve të vjetër, i drejtohemi kryesisë së re të shoqatës që të marrë në dorë përgjegjësitë që iu jep pozita, përgjegjësitë që ata pranuan, kur u zgjodhën në drejtim të shoqatës. Dhe optika jonë në këtë drejtim, alternativa që ne shpresojmë se ata do të na hapin, është kjo:
- Të organizojnë një marshim proteste me makina nga Vlora deri në Sarandë, në shenjë proteste ndaj qeverisë për abuzimet me pronën tonë.
- Në rast indiference nga ana e qeverisë, të fillojmë protestat masive në bregdet, jo vetëm për kthimin e pronës, por edhe për të pezulluar çdo dëmtim të mëtejshëm të saj, në çfarëdolloj forme, ndërtime, shitje apo forma të tjera.
- Kryesia të hartojë peticionin e fundit drejtuar qeverisë për të dhënë përgjigje me afat për kthimin e tokës tonë në bregdet.
- Në mungesë të një përgjigjeje brenda afatit nga ana e qeverisë, shoqata të marrë masa e të organizojë bllokimin e rrugës nacionale të bregdetit, fillimisht me një afat kohor të caktuar.
- Në qoftë se indiferenca e pushtetit do të vazhdojë, atëherë shoqata të organizojë bllokimin definitiv të rrugës nacionale, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, derisa çdo bregas të marrë pronën që i takon nga babai apo gjyshi i tij.
Për realizimin e këtyre lëvizjeve jemi të mendimit që kryesia duhet të bëjë sensibilizimin e të gjithë bregasve kudo nëpër Shqipëri, të bëjë njoftime periodike për këto vendime dhe datat e veprimeve, në mediet e shkruara e televizive, te të cilat shpresojmë se do të ketë mbetur ndonjë e “pa-molepsur” me pushtetin dhe do të jetë e gatshme të ndihmojë shoqatat në këtë drejtim. Gjithashtu, sugjerojmë që të organizohen emisione televizive, ku t’u bëhet thirrje bregasve, t’u bëhet i ditur programi i ri i shoqatës dhe rruga e re që shoqata do të ndjekë në të ardhmen, datat e aktiviteteve etj. Shpresojmë se në këtë mënyrë do të jetë e mundur që tek anëtarët e shoqatës të kthehet besimi se mundi i tyre nuk do të shkojë dëm. Në të kundërt, në qoftë se indiferenca e bregasve do të vazhdojë dhe nuk do të arrijnë të organizohen në protesta masive, atëherë ne, trashëgimtarëve të tyre, na lind e drejta të shprehemi në drejtimin tuaj: Boll u mburrët duke na treguar kohë e pa kohë faktet se si të parët tanë e mbrojtën deri edhe me gjak këtë vend, këto prona! Ju nuk keni trashëguar asgjë prej tyre, përderisa ua morën apo i falët me frikën tuaj në demokraci. A mundeni ta kuptoni se në çfarë pozite na keni vënë me këtë qëndrim? Pronat tona po na i marrin, po ndërtojnë në to, po tallen me ne dhe lutjet tuaja dhe ju akoma nuk po e kuptoni!
Mendojmë se një forcë e madhe në këtë drejtim do të jenë edhe bregdetasit që ndodhen në emigracion, sidomos ata që ndodhen në Greqi, të cilët kanë shprehur gjithmonë gatishmërinë e tyre dhe që presin vetëm një sinjal nga shoqata për të organizuar protestat. Dhe sidomos që në këto momente kemi edhe shkëndijën për të ndezur një zjarr të madh dhe ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e pronave tona, problemin e Kakomesë së Nivicës. Dikur, baballarët tanë e ruanin hyrjen për në Bregun e Detit nga Nivica me pushkë në dorë, të gjithë himarjotët së bashku e me rotacion. Vëllezërit tanë në Nivicë kanë kohë që po kacafyten me hajdutët, me uzurpuesit e pronës dhe ne i lamë vetëm. Turp për të gjithë ne, por dyfish turp për “baballarët” e shoqatave tona! Ka rrezik që të jenë duke luajtur domino si pensionistë dhe të mos kenë marrë vesh asgjë për çfarë po ndodh në Nivicë. Prandaj dëshirojmë që “ulërima” jonë me anë të këtyre rreshtave të mbërrijë deri në veshët e tyre. Të mos harrojmë se kjo “gjëmë” do të jetë, siç thuhet popullorçe-dervish, derë më derë. Pas Nivicës do t’iu vijë radha të gjithave, Shpellës së Lukovës, Palermos, Jalës, Dhralesë, përveç Borshit, ku çdo gjë mund të gjesh, por borshjotë jo, natyrisht nga ata të fismit, jo nga këta bastardët që hanë sot “dru vençe” nga të huajt në Borsh.
Neveria
Është fjala më e kulturuar që mund t’u adresohet asaj kategorie pronarësh që kanë përfituar ose shpresojnë të përfitojnë nga lëmoshat që pushteti iu hedh për t’u tallur me ta. Aq më tepër na shtohet kjo neveri, kur shohim dhe dëgjojmë për përulësinë e tyre dhe se si mundohen t’ia fusin njëri-tjetrit për të përfituar pak nga ajo lëmoshë nëpër ato shortet, me të cilat pushteti tallet me ta. Dhe më e ndyra në këtë farsë është se kjo lëmoshë që ata mundohen të përfitojnë rrjedh nga prona e tyre, kurse ata e kërkojnë sikur po ua falin. Patjetër që duhet të jenë nga ajo përqindje e bastarduar nga radhët e trashëgimtarëve të pronarëve, sepse jemi të bindur se edhe ata vetë e kuptojnë që kjo nuk është rruga që duhet të ndjekin për të marrë pronën e tyre.
Kompensim nuk do të ketë. Kjo fjalë është përdorur dhe do përdoret për t’u tallur me ne, për sa kohë ne do të rrimë urtë, për sa kohë neve do të na pëlqejë të gënjehemi. Kështu edhe ata do ta kenë akoma më të lehtë të vazhdojnë të vjedhin pronën tonë.
Institucionet ndërkombëtare
Klasa e sotme politike, pjellë dhe trashëgimtare e diktaturës, e kishte eksperiencën e duhur për t’i dalë përpara rrezikut dhe për të mos lejuar që asetet ekonomike dhe ato pronësore të ish-klasave të përmbysura t’u shkonin të zotëve të vërtetë, pronarëve të vjetër. Kjo për faktin se në ekonominë e tregut dominon, kush kontrollon asetet e pronësisë. Pikërisht për këtë arsye kjo klasë politike është aq e tërbuar në luftën që pronarët të mos marrin pronën e tyre. Këtë ne, si trashëgimtarë, e kemi plotësisht të qartë. Akuza jonë, dyshimi ynë qëndron në faktin se si ka mundësi dhe për çfarë arsyeje, ashtu si klasa politike shqiptare, edhe organizma të fuqishëm financiarë, përfaqësuese të vendeve të zhvilluara dhe kundërshtarë të komunizmit kudo në botë, u bënë këtu në Shqipëri bashkabuzuese, pjesëtare dhe përkrahëse të lojës së ndyrë në kurriz të pronave dhe pronarëve, duke e toleruar këtë klasë politike pafundësisht. Përfaqësues të njëpasnjëshëm të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar, të Bashkimit Evropian apo OSCE në Shqipëri, trupi diplomatik i tyre në Shqipëri, përveç ndonjë batute të lëshuar me gjysmë zëri, kanë qenë në unison dhe kanë mbështetur gjithmonë qeveritë e korruptuara shqiptare në këtë drejtim. Mendojmë se do të ishte e ndershme që këto shtete dhe organizma prestigjioze ndërkombëtare të mos financonin asnjë projekt në Shqipëri dhe sidomos në Rivierë pa u zgjidhur çështja e pronës private, pa u kthyer ajo tek i zoti. Nga ana jonë kemi dyshime dhe fakte nën zë për të mbërritur në konkluzionin se këta përfaqësues janë bërë pjesëtarë të lojës së ndyrë me pronat, për të përfituar prona ose të mira materiale për vete të tyre nga qeveritë e korruptuara shqiptare në kurriz të pronave tona. Me gjithë hermetizmin që ekziston në zyrat e hipotekave, ne kemi mundur të gjejmë dhe të grumbullojmë informacion që të çon në vërtetimin e dyshimeve tona. Në një rast na rezultoi që prona e marrë në mënyrë abuzive nga këta përfaqësues, figuronte e regjistruar në emrin e sekretares-dashnore, me të cilën funksionari i një prej institucioneve ndërkombëtare kalonte weekend-et në Dhërmi. E dyta mund të jetë sipas mendimit tonë se drejtuesit qendrorë të këtyre institucioneve nuk e njohin gjendjen ose “ndoshta” nga naiviteti nuk mund ta imagjinojnë dhe ta besojnë se përfaqësuesit e tyre janë ulur deri në nivelin e klasës politike dhe administratës së nëpunësve shqiptarë aq të demaskuar në botë për nivelin e lartë të korrupsionit. Për të hequr edhe mundësinë e fundit e të mos thonë se nuk kishim dijeni për këtë gjendje, shpresojmë që këto rreshta dikush do t’i bëjë të mundur që të përfundojnë në veshin dhe mendjen e zyrtarëve kompetentë të trupit diplomatik dhe këtyre organizmave, natyrisht jo të përfaqësuesve që ata kanë në Tiranë. Dhe më pas, pasi të kemi siguruar edhe dokumentacionin e saktë dhe me emrat e përfaqësuesve ndërkombëtarë që kanë abuzuar, do t’i publikojmë në një organ prestigjioz ndërkombëtar. Edhe skandali i fundit i Bankës Botërore në Jalë këtu e ka burimin, tek interesat private të nëpunësve të saj në Tiranë.
Për këtë po iu drejtojmë vetëm një pyetje këtyre zotërinjve: Pse duhen kompensuar prishjet e ndërtimeve të paligjshme në Jalë? Mos është ky një sinjal nga ana e Bankës Botërore për stimulimin e ndërtimeve të tjera të paligjshme në zonë? Po në favor të kujt shkon kjo?
Kakomeja, ashtu si dje, edhe sot, është porta e hyrjes në Bregun e Detit. Në qoftë se do të bjerë Kakomeja, ashtu do të bien të gjitha pjesët e lakmuara tonat në duart e mafies shtetërore. Prandaj duhet që jo vetëm niviciotët kudo që ndodhen, por edhe të gjithë bregasit t’u gjenden pranë niviciotëve. Po mori pronat Nivica, do të shpëtojë edhe Bregu i Detit. Në të kundërt, do të tregojmë se në damarët tanë nuk ekziston më gjaku i të parëve tanë, jemi kthyer në racë bastardësh.
Prolog
Të nderuar anëtarë të kryesisë së shoqatës “Bregdeti”! Ndoshta me këto radhë ju kemi rënduar pak, por e kemi për të mirën tonë të përgjithshme, sepse përvoja e kaluar na ka bërë shumë mosbesues në këtë drejtim. Jemi një grup pronarësh që i kemi ndjekur shoqatat që nga fillimi, me besim dhe entuziazëm, me shpresë se diçka do të realizohej. U distancuam pak nga shoqata, kur vumë re se ajo ra në pasivitet dhe u kthye deri në njëfarë mase në një mbledhje pensionistësh, të cilët vazhdonin t’i drejtoheshin pushtetarëve me përulësi e frikë, me peticione e thirrje pa kurrfarë vlere, që mbledhjet e shoqatës i konsideronin si kuvende pleqsh për t’u “ksehasur”. Jemi ndier shumë keq, kur shihnim se si ju rropateshit dyerve të institucioneve për të takuar lloj-lloj pushtetarësh dallkaukë, me nivel të ulët karakteri dhe deri nga ata me prejardhje të dyshimtë të origjinës. Dhe në këto raste na vinte keq, kur mendonim që ju akoma shpresonit tek ata që mendonin vetëm e vetëm se si të gllabëronin pikërisht atë që ju kërkonit. Dhe sot pronën tonë ata po e vjedhin fare hapur, pa pikën e frikës, sepse janë të gjithë njëlloj. Ja, për të gjitha këto ne ju drejtohemi sot në këtë mënyrë, me këto radhë. Është mundësia e fundit, nuk ka më kohë për të humbur, çdo minutë është në favor të hajdutëve. Edhe shkrimet e fundit tuaja nëpër faqet e shtypit të përditshëm tregojnë se ju, ose nuk kuptoni, ose keni frikë të reagoni, ose nuk doni të kuptoni që po ndiqni rrugën e gabuar, atë rrugë që i intereson pushtetarëve duke iu lënë dorë të lirë atyre të vazhdojnë të gllabërojnë pronat tona.
Gjithashtu, kryesisë së shoqatës “Bregdeti” i kujtojmë se presim që ajo të koordinojë punët dhe detyrat dhe të lajmërojë anëtarët e shoqatës për datat e organizimit të aktiviteteve, protestave dhe bllokimit të rrugës nacionale. Për këtë nuk ka nevojë të thërrisni shumë, duhet vetëm një sinjal dhe bregasit do të mblidhen nga janë e nga s’janë e do t’i tundin themelet çdo pushteti. Për këtë të jeni të bindur. Vetëm na bëni thirrje.
Përpara kemi zgjedhjet, por mos shpresoni se mund të bëni presion me anë të votës. Pushtetarët e të dy krahëve nuk e duan votën tonë, sepse ato na i vjedhin bashkërisht, të dyja palët i ndajnë votat me marrëveshje dhe votimi nuk shpreh realitetin. E vetmja rrugë është që deri në qershor, përpara zgjedhjeve, rruga e bregdetit duhet të bllokohet përfundimisht dhe të hapet vetëm atëherë kur të marrë zgjidhje përfundimtare çështja e pronës tonë. Dhe kjo duhet të bëhet urgjent, sepse në pronat tona po bëhet kasaphana, janë sulur të gjithë, me në krye mafien e tokave që përfaqësohet nga maja e politikës shqiptare dhe bijtë e tyre, nga një lukuni e papërmbajtur nga llumi i shoqërisë dhe po blejnë deri edhe pa dokumente, po ndërtojnë në çdo cep. A do të rrimë e do bëjmë sehir? Zotërinj të shoqatës, na bëni thirrje, caktoni datën dhe do të shkulemi të gjithë, do të bllokojmë me makinat tona rrugën njëherë në Dhërmi, herën tjetër në Nivicë dhe në mungesë të një reagimi nga ana e qeverisë për të na kthyer pronën, rruga do të bllokohet përfundimisht. Dhe mos kini frikë. Kur kanë kurajë dhe bllokojnë rrugën “jabanxhinjtë” që shkatërruan Ksamilin dhe kanë zaptuar pronën e të tjerëve, a duhet të kemi frikë ne që jemi në të drejtën tonë? Mos harroni se shumë nga gjyshërit tanë i kanë patur gishtat e duarve të prera nga dinamiti që përdornin që gjatë viteve të diktaturës dhe të cilin mezi e gjenin. Sot, dinamiti është sheshit.
Në shumë raste dhe ambiente, na e kanë thënë hapur, pa ndrojtje, me paturpësi se ne nuk do ta marrim dot pronën tonë. Arroganca e tyre rrjedh deri në njëfarë mase edhe nga dobësia e jonë, por edhe nga vetëbesimi që ata kanë krijuar nga reagimi ynë. Ndoshta kanë patur të drejtë deri tani. Por ju, prindërit tanë, a e kini kuptuar se ku na keni katandisur?!
Shpresojmë se së shpejti, ndoshta që të nesërmen e botimit të këtij shkrimi, do të kemi një reagim nga ana juaj. Në të kundërt, ju lutemi që, në qoftë se nuk keni kurajë t’i organizoni këto që ne ju kërkojmë dhe që ka qenë detyra juaj t’i bëni, organizoni mundësisht edhe brenda një jave kuvendin e shoqatës. Aty jepni botërisht dorëheqjen dhe hapini rrugën brezit të ri. Të jeni të sigurt se do të marrim përsipër përgjegjësi dhe do t’i realizojmë. Gjyshërit tanë përballuan diktaturën më të egër në botë dhe e mbrojtën pronën, ne në demokraci e kemi shumë më të lehtë se ata të luftojmë e të marrim atë pronë që ata na lanë. Jemi të bindur se bregasit do ta kuptojnë të gjithë, se ky është shansi i fundit dhe do ta mbështetin masivisht shoqatën.
Të nderuar zotërinj, jemi të bindur se zgjedhja e juaj do të jetë në nivelin e përgjegjësive që keni marrë përsipër dhe në nderin e origjinës së të parëve tuaj.