E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia, qeveria ka çelur vetëm 3 mijë vende pune në një vit

Nga Fitim Zekthi

Niveli i papunësisë në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit ka rënë nga 14,4% në 13%, bënë me dije të dhëna zyrtare të Ministrisë shqiptare të Financave, duke treguar se çelja e vendeve të reja të punës gjatë këtyre viteve ka qenë një gjë thuajse e paqenë. Në përqindjen e re të numrit të njerëzve në punë Ministria e Financave dhe agjencitë e tjera shtetërore që merren me llogaritjen e të dhënave të tilla kanë shtuar si të punësuar rishtas edhe punonjësit që kanë qenë në punë, por që gjatë këtyre viteve janë regjistruar. Të dhënat zyrtare raportojnë se në tre vjet, kur rritja ekonomike ka qenë rreth 6% (vitin e kaluar qeveria pretendon se rritja ishte deri në 10%), ritmi i çeljes së vendeve të reja të punës ka qenë shumë i ulët dhe madje ai ka qenë më i ulët se ritmi i çeljes së vendeve të punës nga vitet 2000 deri në vitin 2005. Fakti që gjatë tre viteve numri i njerëzve të papunë është ulur me 1,4 pikë përqindjeje do të thotë se në Shqipëri janë çelur rreth 12 mijë vende të reja pune ose mesatarisht 4 mijë vende të reja pune në një vit. Ky është një ritëm shumë i ulët i çeljes së vendeve të reja të punës. Në Shqipëri numri i njerëzve që përfshihen në forcën punëtore në një vit është shumë më i lartë sesa katër mijë që zënë punë. Të dhënat zyrtare të qeverisë shqiptare duan të thonë se qeveria ka mundur të ulë nivelin e papunësisë me 1,4 pikë përqindjeje ose ka futur në punë rreth 12 mijë gjatë tre viteve dhe për këtë përdorin kryesisht të dhënat që vijnë nga zyrat e punës dhe nga Instituti i Statistikave. Këto të dhëna në fakt nuk përfshijnë numrin e njerëzve që largohen nga puna, për shkak se dalin në pension, numrin e atyre që bëhen forcë pune aktive për shkak të moshës ose për shkak se përfundojnë studimet dhe nuk mund të gjejnë një punë. Të dhënat gjithashtu nuk përfshijnë njerëzit që nuk kanë një punë dhe megjithatë nuk janë paraqitur në zyrat e punës për të kërkuar një punë. Pavarësisht të gjithave është e qartë se numri prej 12 mijë njerëzish të futur në punë rishtas është një numër shumë i vogël dhe ai dëshmon për një ekonomi që rritet me vështirësi dhe që ka shumë probleme. Të dhënat tregojnë për një ekonomi që nuk rrit investimet dhe prodhimin pavarësisht deklarimeve të qeverisë. Të dhënat gjithashtu nuk përfshijnë efektet e tashme të krizës ekonomike, ku vetëm në sektorin e konfeksioneve dhe këpucëve grupimet e biznesit thonë se janë larguar nga puna rreth 10 mijë vetë. Shifra e 12 mijë vendeve të reja të punës mund të quhet si e mirëqenë, në rast do të marrim për të vërtetë faktin që në Shqipëri janë të zënë me punë rreth 900 mijë njerëz dhe jo aq sa janë të regjistruar në zyrat e taksave (rreth 600 mijë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›