E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis samiti historik për Shqipërinë, vendi rreshtohet përkrah aleatëve perëndimorë

Nga Tema

Shqiptarët sot do e kenë vëmendjen të përqendruar drejt Gjermanisë dhe Francës, aty ku pritet të nisë samiti vjetor i NATO-s, që për shqiptarët është historik.

Edhe pse tashmë nga pikëpamja ligjore vendi ynë quhet anëtar i NATO-s, do jetë ky samit i rëndësishëm që do të vulosë anëtarësimin tonë në Aleancën e fuqishme perëndimore.

Një numër shumë i madh zyrtarësh shqiptarë do të mësyjnë sot drejt Gjermanisë, duke e lënë Shqipërinë në drejtimin e zv/kryeministrit.

Presidenti Bamir Topi do të udhëheqë delegacionin për në Samit, dhe në përbërje të tij do jenë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes dhe dy drejtuesit e grupeve parlamentare për partitë më të mëdha në Kuvend, për PS, Valentina Leskaj dhe për PD, Astrit Patozi. Dita e madhe për shqiptarët do jetë ajo e nesërmja, ndërkohë që delegacioni do të pritet sot nga kancelaria gjermane, Angela Merkel.

Festimet e ndara

Tirana tashmë është veshur në të gjitha rrugët e saj kryesore, e madje dhe në rrugë të tjera më të thella dhe dytësore. Dekori është përgatitur nga qeveria, por opozita ka deklaruar se do bëjë festimet e saj, të veçuara nga qeveria. Dhe koha duket se e mundëson një gjë të tillë. Ditën kur do të festohet në Strasburg rreshtimi i Shqipërisë ndaj aleatëve, opozita do të festojë nën drejtimin e Edi Ramës, kësaj radhe i veshur me petkun e kryebashkiakut.

Një ditë më pas, të kthyerit nga samiti, që janë shumica zyrtarë të mazhorancës, do festojnë në sheshin “Skënderbej” në një tjetër koncert.

Reagimet

Edi Rama, kryetar i PS, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se kjo është një ditë historike dhe një realizim i ëndrrës së gjithë shqiptarëve.

Por ai ka akuzuar politikën se e ka shtyrë anëtarësimin në NATO.

“Pas shekujsh e dekadash trazirash e konvulsionesh historike, më në fund shqiptarët sot realizojnë ëndrrën e atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili thoshte se në themel të shtetit të ri shqiptar në 1912 do të ishin “nomet e Perëndimit”.

Kjo është dita e shënuar, kur Shqipëria dhe çdo shqiptar ndihet krenar që i bashkohet kësaj aleance, në radhë të parë vlerash, vlerave të pluralizmit, lirisë, demokracisë dhe tolerancës.

Është dita kur ne duhet ta kuptojmë se këto vlera që kemi përqafuar, liria dhe dinjiteti i njeriut, janë tepër të çmuara dhe janë në bazën e kësaj aleance, së cilës i përkasim sot edhe zyrtarisht. Për t’i siguruar ato na është dashur të paguajmë një çmim shpesh shumë të lartë.

Sot është dita kur ne shqiptarët duhet të rikthejmë besimin në vetvete. Duhet të besojmë në aftësitë tona për të bërë vepra të mëdha, të besojmë se s’ka asgjë të pamundur, në rast se ne jemi të gjithë bashkë”, - tha Rama.

Pas deklaratës së tij kanë reaguar demokratët që kësaj radhe nuk kanë lëshuar një lumë akuzash ndaj tij, por zëdhënësja e re e ka përshëndetur qëndrimin e tij.

“Sot, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjeti më në fund forcën dhe kurajën për të dalë nga sindroma i mohimit dhe për të përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më madhor në historinë e këtij kombi pas pavarësisë së tij”, - tha Mëhilli.

“Partia Demokratike përshëndet këtë qëndrim si një qëndrim konstruktiv, në të cilin ekziston edhe vlerësimi i kontributit të qeverive socialiste në këtë proces, të cilin z. Rama gjeri më sot me një fanatizëm të papranueshëm është përpjekur ta mohojë.”

Por, nga ana tjetër, është kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që është “kujdesur” të lëshojë një lumë akuzash ndaj Ramës në një intervistë televizive.

Në këtë ditë është shfaqur dhe i akuzuari kryesor për ngjarjen e Gërdecit, kryetari aktual i PR, që ka deklaruar se edhe ai dhe forca që drejton ka merita në anëtarësimin në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›