E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashet Rooney

Wayne Rooney thotë se gjatë verës në pushime ka shtuar shtatë kilogramë. Ylli i Manchester United nuk u kishte besuar syve kur peshorja tregonte qartë për mbipeshën e tij. Ai arsyetohet se është vetë trupngjeshur e jo sikur Ryan Giggs, që është gjithmonë vital. Përfaqësuesi anglez premton se me punë intensive do ta rikthejë formën më të mirë.

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney e ka pranuar se në nismë të sezonit të ri në Premierligë ka shtatë kilogramë më shumë në krahasim me fundin e sezonit të shkuar. Futbollisti anglez ka shtuar peshë në pushimet që i shijoi gjatë verës, duke ngrënë pa kontroll dhe duke konsumuar alkool pa stërvitur fare.

“Unë jam si shumica e njerëzve, marr me vete disa kilogramë pas pushimeve. Edhe nëse nuk stërvit për një javë shtoj 2-3 kilogramë. Mirëpo, kur rikthehem në Carrington (qendra stërvitore e Manchester Unitedit) në ditën e parë gjendem në një gjendje shoku”, ka thënë përfaqësuesi anglez i cili e publikoi biografinë e tij të titulluar “Dekada ime në Premierligë”, të cilën e publikoi në Daily Mirror.

“Peshoret në qendrën e fitnesit të klubit më treguan se kam shtuar më shumë kilogramë se që pritej – shtatë. Janë shtatë. Më pas kujtova që kam pirë pa masë kur isha në pushime. Unë jam trupngjeshur, nuk jam sikur Ryan Giggs, me eshtra dhe me muskuj të paktë”, vazhdoi ish futbollisti i Evertonit.

“Si sulmues, më duhet të ushtroj shumë gjatë tërë kohës. Më duhet të jem i përpiktë, që do të thotë se fiziku im duhet të jetë në gjendjen e duhur për të luajtur mirë. Nëse ai nuk është, kjo do të vërehet”, vazhdoi ai.

Trajneri i Rooneyt, Sir Alex Ferguson, e pranoi se sulmuesi i tij ka nevojë të dobësohet, por e mbrojti qëndrimin e tij përballë punës që bën në fitnes.

“Wayne nuk është Ryan Gigs. Ryan nuk e ka shtuar kurrë ndonjë kilogram në jetën e tij. Wayne është një djalë që i nevojiten ndeshjet. Ju mund ta shihni atë nga gjendja që ka. Ai është trupngjeshur, i fuqishëm dhe vërtet ka nevojë për ushtrime dhe lojë, kjo është e thjeshtë”, deklaroi trajneri skocez.

Rooney pësoi lëndim me të filluar sezoni i ri në Premierligë, kur një lojtar kundërshtar e shkeli në këmbë dhe pritet të mungojë një muaj. Por, atë po e zëvendëson për mrekulli përforcimi Robin van Persie, i cili realizoi tre gola në ndeshjen e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›