Berat, tre fëmijë në spital nga nepërka dhe akrepi
BERAT Tre fëmijë nga zonat rurale të Beratit përfunduan në spital në tri ditët e fundit, pasi u pickuan nga nepërka dhe një akrepi. Për shkak të largësisë së fshatrave me qytetin, fëmijët kanë mbërritur në gjendje të rëndë në spital, duke vënë kështu në alarm bluzat e bardha. Burime nga spitali bënë të ditur se me mbërritjen e fëmijëve në Urgjencë, iu është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë. Pas ndihmës së marrë, ata e kanë kaluar rrezikun për jetën. Burime spitalore bënë të ditur se në këtë stinë pickimet nga zvarranikët dhe insektet vdekjeprurëse janë një fenomen mjaft shqetësues nëpër fshatra. Viktima bëhen kryesisht fëmijët, si dhe gratë që punojnë nëpër ara. Precedentët e viteve të kaluara kanë shkaktuar edhe vdekje. Fëmija 7 vjeç me inicialet E.P., nga zona e Tërpanit ka qenë duke luajtur pranë oborrit të shtëpisë, kur është pickuar nga nepërka. Ndërsa 8- vjeçari me iniciale H. L., nga fshati Sinjë, në momentin që është sulmuar nga gjarpri ka qenë duke ruajtur bagëtitë. Burime spitalore bënë të ditur se fëmijë 12 vjeç që është pickuar nga akrepi është nga zona e Vodicës. Fëmijët, pasi kanë marrë mjekimin, e kanë kaluar rrezikun dhe po trajtohen intensivisht në Spitalin e Beratit. Një vit më parë në Spitalin e Beratit janë paraqitur 12 persona të pickuar nga vejusha e zezë, nepërka dhe akrepi. d.xh
Apeli
Mjeku specialist Vladimir Kumbaraku u shpreh se fëmijët kishin ardhur në gjendje të rëndë me simptoma të pickimit nga zvarranikët, pasi edhe largësia ku ata banonin, ka bërë të vetën. Sipas tij, stafi i mjekëve kishte marrë masat e nevojshme për kurimin e tyre, ndërsa bëri apel që në këtë stinë prindërit e fëmijëve të jenë më të kujdesshëm.