Tre diga mbi lumin Vjose

Asgjësimi i tokave bujqësore nga vërshimet e Vjosës është frenuar përpara sezonit të reshjeve. Punimet për ndërtimin e 3 penelave përgjatë shtratit të devijuar të lumit janë drejt fundit. Investimi u mundësua nga Ministria e Bujqësisë pas alarmit që dha Bordi i kullimit dhe fermerët e zonës . Vjosa ka marre deri tani 40 ha tokë bujqësore vetëm në komunën Cakran dhe afërsisht 60 ha të tjerë në komunat Levan dhe Frakull.
Për nga mënyra e projektimit këto penela janë të parat e llojit të vet në vend. Që prej ndërtimit të sistemeve kullues në vitet 60 asnjë vepër e këtyre përmasave nuk është ndërtuar në Myzeqe.
Bordi i Kullimit në fier synon ndërtimin edhe të 3 penelave të tjerë vitin e ardhshëm me qëllim ndaljen përfundimtare të vërshimeve të Vjosës dhe 'ngrënies' se tokave bujqësore.
Lajmi i mirë është edhe se ne 3 vitet e ardhshme procesi natyral i prurjeve të lumit do të riktheje tokën e humbur .
Shtrati i lumit Vjosë devijoi gradualisht si pasojë e shfrytëzimit të inerteve në brigjet e tij duke përparuar afërsisht me 8 metra në vit në brendësi të tokave bujqësore.