Tre gra nderohen me çmimin “Nobel” për paqen

Në Oslo të Norvegjisë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqen. Fitueset e këtij viti janë e para grua presidente në një vend afrikan, një veprimtare liberiane paqeje dhe një veprimtare e të drejtave të njeriut nga Jemeni. Këto gra të jashtëzakonshme bëhen pjesë e një grupi shumë të veçantë. 15 gra janë nderuar me çmimin Nobel për paqen, që kur ai filloi të jepej në vitin 1901. E para ishte shkrimtarja dhe aktivistja austriake Bertha von Suttner në vitin 1905. Këtë vit, Komiteti norvegjez i çmimit të Paqes e ndau çmimin prej 1.5 milionë dollarësh mes tre grave.
Presidentja Sirleaf u bë presidentja e parë e zgjedhur e Liberisë në vitin 2006. Liberiania tjetër Gboëee u nderua për rolin në bashkimin e grave kundër komandantëve të luftës në vendin e saj. Karman është një gazetare nga Jemeni dhe gruaja e parë arabe që merr çmimin.
Presidentja Sirleaf që ndodhet në Oslo për ceremoninë, e cilësoi çmimin një "vlerësim të mrekullueshëm" për pabarazitë që kanë vuajtur gratë.
Fitueset e vitit 2011, bëhen pjesë e një grupi elitë. Mes tyre është Nënë Tereza, që fitoi në vitin 1979 për punën e saj humanitare. Kreu i komitetit të çmimit Nobel për paqen Thorbjoern Jagland thotë se gratë luajnë një rol kritik për paqen. Gratë janë nderuar me çmimin Nobel edhe në shkenca dhe letërsi. Shkencëtarja franceze Marie Curie, është ndeuar dy herë: një herë në fizikë dhe vite më pas për arritjet në kimi.