Kriza, PD e PS pranë kompromisit
adi shkembi
Gati 11 muaj nga zgjedhjet e 28 qershorit maxhoranca dhe opozita janë më afër se kurrë për arritjen e një marrëveshjeje për zgjid-hjen e krizës politike. Gjithçka duket se ka ardhur pas ndërhyrjes energjike të komunitetit ndërkombëtar, më konkretisht ambasadorëve të BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së. Megjithatë palët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit për kutitë e fletëve të votimit, teksa duket se kanë rënë dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.
Drafti
Pas takimeve me Presidentin Bamir Topi, ambasadorët e KE-së, Spanjës dhe SHBA-së kanë hartuar një draft, të cilin ia kanë vënë përpara Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Mësohet se pakti u është dorëzuar krerëve të dy partive të mëdha të enjten në mbrëmje. Pasi pritën për shumë kohë që PS e PD të zgjidhnin vetë krizën politike, ambasadorët kanë propozuar që hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit të bëhet nëpërmjet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. Për të bërë të mundur këtë hetim do të funksionojë komisioni hetimor parlamentar. Dorëzimin e këtij drafti te krerët e dy forcave politike e bëri të ditur dje në mesditë ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i cili me një gjuhë të prerë u kërkoi partive ta firmosin atë.
Reagimi i partive
Megjithëse dy partitë e mëdha janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për të zgjidhur krizën afro 1-vjeçare, ka ende një detaj për të zyrtarizuar gjithçka. Burime pranë dy partive të mëdha bëjnë të ditur se Kryeministri Sali Berisha ka pranuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, por duke iu referuar procedurës së parashikuar në Kodin Zgjedhor. Në nenin 178 të Kodit "ruajtja e dokumentacionit" parashikohet që materialet zgjedhore të ruhen në Arkivën e Shtetit, ndërsa fletët e votimit të digjen. "Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së", thuhet në pikën 6 të këtij neni. Por burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se kryetari Edi Rama ka ofruar një tjetër mënyrë. Kështu, ai bie dakord që komisioni hetimor parlamentar të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, duke hapur kutitë e materialeve zgjedhore, por kutitë e fletëve të votimit të mos digjen. Partia Socialiste propozon që ato të mbeten të ngrira dhe t'i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për të marrë nga këto dy institucione një argumentim, nëse hapja e kutive të votimit për zonat ku ka një vendim gjykate bie apo jo ndesh me Kushtetutën. Megjithëse varianti i propozuar nga maxhoranca ka një ndryshim me atë që mbron opozita, pritet që kompromisi të mos jetë shumë i largët, duke qenë se Kryeministri Berisha është shprehur disa herë se Partia Socialiste duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për sa i përket hapjes së kutive të fletëve të votimit.
Neni 178
Pika 6
Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Maxhoranca
Ndërkohë që opozita është shprehur mbi draftin e propozuar nga ambasadorët e huaj në Tiranë, maxhoranca ende nuk ka një deklarim zyrtar lidhur me të. Mungesa e reagimit nga ana e Partisë Demokratike duket se lidhet me faktin se Kryeministri Berisha gjatë ditës së djeshme ka qenë në Kroaci, ku ka marrë pjesë në takimin e organizuar në Zagreb nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ajo që duket e sigurt është se PD pranon hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ndërkohë që kërkon bisedime lidhur me fatin e kutive të fletëve të votimit të 28 qershorit.