Tre ish-prokurorë fitojnë gjyqet me Ina Ramën, padisin Topin

Ina Rama
TIRANE – Tre ish-prokurorë padisin Prokurorinë e Përgjithshme në Gjykatën e Lartë duke kërkuar rikthim në punë dhe pagesën e rrogës për kohën e shkëputjes nga detyra, pasi kanë fituar gjyqet me organin e akuzës. Aktualisht në Gjykatën e Lartë janë regjistruar paditë e ish-prokurorëve Drini Pali, Dritan Gripshi dhe Ilia Bano. I pari ka paditur prokurorin e Përgjithshëm dhe Presidentin e Republikës, ndërsa ish-prokurorët Bano dhe Gripshi, kanë bërë ankim kundër kreut të shtetit, në cilësinë e firmëtarit të dekreteve të shkarkimit. Personat që kanë bërë ankim në Gjykatën e Lartë janë ish-prokurorë të shkarkuar nga detyra gjatë viteve të fundit me propozim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe me dekret të Presidentit. Pas shkarkimit, ish-prokurorët kanë bërë padi kundër procesit në fjalë në gjykatë dhe togat e zeza u kanë dhënë të drejtë, duke i kthyer në detyrë dhe duke vendosur edhe pagesën e rrogës së munguar për kohën e shkëputjes nga puna si pasojë e shkarkimit nga detyra në Prokurori. Në padinë e tij, ish-prokurori Drini Pali kërkon “shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr.6573, datë 20 maj 2010, kthimin në detyrën e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Durrës dhe pagimin e pagës deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Për një objekt thuajse të njëjtë padie, i është drejtuar gjykatës edhe ish-prokurori Dritan Gripshi. Në padinë e tij thuhet se ai kërkon shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr.6630, datë 29 qershor 2010, kthimin e paditësit në detyrën e prokurorit të Prokurorisë Berat dhe pagimin e pagës deri në ekzekutimin e vendimit. Po kështu, ish-prokurori Ilia Bano, në padinë e vet kërkon shfuqizimin e dekretit të Presidentit nr.5170, dt. 23 dhjetor 2006 dhe pagimin e pagës 1-vjeçare si rrjedhojë e shkarkimit të padrejtë. Tre prokurorët paditës, por edhe të tjerë ish-prokurorë, i kanë fituar gjyqet me Prokurorinë e Përgjithshme, pasi shkarkimi i tyre me vendime të gjykatave, të formës së prerë, është cilësuar i paligjshëm. Ndonëse kanë fituar në gjyqe të drejtën e rikthimit në vendin e punës ku kanë qenë, ish-prokurorët janë detyruar t’i drejtohen gjykatave, pasi vendimet e dhëna për kthimin në punë nuk janë zbatuar.
Dekretimi
Presidenti i Republikës ka të drejtën e firmës përfundimtare për rastet e emërimeve, promovimeve apo shkarkimeve të prokurorëve. Me propozim të prokurorit të Përgjithshëm, kreu i shtetit mundet që të emërojë ose të shkarkojë çdo prokuror në gjithë vendin. Këtu buron edhe fakti se ish-prokurorët atakojnë në gjyq dekretet e Presidentit.