Tiranë, shitësi i drogës kapet me 600 gr heroinë
Prangoset Alfred Allajbeu, shpallen në kërkim dy blerësit e drogës.
Një ditë pas kapjes së 2 kilogramëve kokainë, Policia e Tiranës bllokoi dje 600 gramë lëndë narkotike heroinë, duke vënë në pranga një 25-vjeçar e duke shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Pas kapjes së shitësit të heroinës, dy persona të tjerë, që dyshohet se shpërndanin lëndën narkotike në lokale të ndryshme të kryeqytetit, janë shpallur në kërkim. Operacioni i koduar “Plus”, u realizua rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në një lokal që ndodhet në rrugën “Fortuzi” në Tiranë. Burime të Policisë së kryeqytetit thanë se i arrestuari është Alfred Allajbeu, të cilit iu gjet edhe lënda narkotike, që e kishte fshehur në një qese me mbishkrim sheqeri. Policia tha se dje arrestimi i 25-vjeçarit Allajbeu u krye pas një hetimi që zgjati rreth 3 muaj, të kryer me metodat speciale të hetimit. Oficerët e Seksionit Kundër Narkotikeve, mbi bazën e informacioneve që kishin grumbulluar gjatë hetimeve në ngarkim të Alfred Allajbeu, si dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, arritën arrestimin dhe sekuestrimin e lëndës narkotike, para se të fillonte shitja në lokalet e kryeqytetit. Burimet thanë se emrat e dy personave të tjerë që bashkëpunonin me 25-vjeçarin, nuk mund të bëhen publikë për shkak të hetimeve ende të pambyllura. Ata besohet se do të blinin drogën e kapur, ndërsa policia tha se është provuar implikimi i tyre në aktivitetin e shitjes së lendeve narkotike, kryesisht të llojit heroinë.
Kapja e drogës
“Kapja në flagrancë e shtetasit Alfred Allajbeu, 25 vjeç, u realizua në rrugën “Fortuzi”, para shitjes së lëndës narkotike në lokalet pranë kësaj rruge. Në momentin e arrestimit, shtetasi Alfred Allajbeu nuk bëri rezistence ndaj agjentëve të Policisë së Tiranës”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjithashtu, në njoftim thuhet se u bë shpallja në kërkim policor edhe ndaj dy shtetasve të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të Allajbeut dhe po punohet për arrestimin e tyre. Sipas burimeve, ky grup ishte një ndër grupet kryesore kriminale në qytetin e Tiranës, me tendencë shpërndarjen e heroinës, kryesisht në lokalet përgjatë bulevardit “Zogu i Pare”, në rrugën “Fortuzi”, në Rrugën e Durrësit, si dhe në disa lokale përreth qendrës së Tiranës. Policia tha dje se lënda narkotike ishte e futur në një qese me mbishkrimin “Euro-Sheqer”, brenda se cilës kishte një pako në formë paralelepipedi të mbështjellë me natriban të tejdukshëm, brenda së cilës ishte lënda me ngjyrë dhe aromë karakteristike si ajo e llojit heroinë.
Kokaina
Në një aksion të organizuar ditën e shtunë, Policia e Tiranës bllokoi 2 kilogramë kokainë dhe 45 mijë euro. Selaudin Bajrami dhe Aleksander Budo, ranë në pranga me akuzën e shpërndarjes së lëndës narkotike. Arrestimi i tyre ndodhi gjatë aksionit të koduar me emrin “Rojal”. Sipas hetimeve të Policisë, lënda narkotike kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova dhe destinacioni i saj ishte shpërndarja në lokalet e ndryshme në Tiranë dhe në kazino. Arrestimi i dy personave dhe shpallja në kërkim e dy të tjerëve është bërë pas kapjes së 700 gramëve kokainë në momentin e shkëmbimit të tyre me 45 mijë euro. Sasia tjetër e lëndës narkotike u gjet nga kontrollet në banesat e personave të dyshuar.
Aksionet antidrogë
Pas një periudhe të gjatë në të cilën Policia e kryeqytetit nuk kishte arritur të kapte qarkulluesit e drogave të forta, forcat e rendit kanë arritur dy goditje radhazi. Aksionet e kapjes së heroinës dhe kokainës mësohet se janë finalizim i hetimeve të nisura muaj më parë nga Policia e kryeqytetit, ndërkohë që sasia e drogës së bllokuar për llojin e saj përbën një shumë sa ajo që është kapur gjatë gjithë vitit të kaluar në kryeqytet. Kapja e sasive të tilla duket se tregon faktin se lënda narkotike është prezente dhe qarkullon pavarësisht statistikave të Policisë.
ETLEVA DELIA