Vret gruan në sy të fëmijëve, plagoset nga policia

Policia e Kukësit
KUKES/ Një vit më parë doli nga spitali psikiatrik. Policia, 6 orë operacion për ta neutralizuar.
Irfan Biba ekzekutoi në mëngjes të shoqen, në sy të 4 fëmijëve.
Bashkëshorti ekzekuton me automatik të shoqen në sy të 4 fëmijëve. Arze Biba, 47 vjeçe, mbeti pa jetë mëngjesin e djeshëm, pasi u qëllua me armë zjarri nga i shoqi 50-vjeçar, Irfan Biba. Nuk ka mjaftuar kjo, por vrasësi ka shkëmbyer edhe zjarr me Policinë e Kukësit, pasi për 6 orë refuzoi kërkesën për t’u dorëzuar derisa ka ngelur i plagosur rëndë. Ai u transportua dje në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekime të specializuara. Policia tha se vrasësi është i sëmurë mendor dhe ka qenë në çaste depresioni kur ka kryer krimin. Vetëm një vit më parë, autori ishte nxjerrë nga spitali psikiatrik, por gjatë gjithë kohës njihej si person i dhunshëm.
Ngjarja
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kukësit, në orën 8 e 45 minuta të mëngjesit të djeshëm, në sallën operative të Policisë së Kukësit, familjarë të Irfan Bibës kanë njoftuar se kryefamiljari i tyre ka shtënë me automatik dhe ka vrarë bashkëshorten e tij, Arzën. Menjëherë forca të shumta të Policisë së Kukësit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar vrasësin, i cili pasi ka kryer vrasjen nuk është dorëzuar, por ka kërcënuar për të tjera viktima nëse dikush hyn në banesën e tij. Katër fëmijët e tij kanë mundur të dalin në ato momente terrori dhe janë strehuar tek xhaxhai i tyre, madje ky i fundit e ka pasur të pamundur të hyjë në banesën e të vëllait, i cili ka nisur të qëllojë nga brenda dhe nuk ka lejuar që as kufomën ta nxirrnin jashtë. Banorët tregojnë se për orë të tëra kanë përjetuar momente tmerri, pasi askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia për shkak të frikës dhe plumbave. Duke e njohur gjendjen mendore të njeriut të tyre, ata kanë lajmëruar me urgjencë policinë, për të shmangur krime të tjera brenda familjes.
Operacioni
Në ndjekje të Bibës kanë shkuar rreth 20 forca dhe mjete të shumta të Policisë së Kukësit. Operacioni zhvillohej në një terren mjaft të vështirë. Fshati Kollovoz është shumë thellë, në një shpat mali ku dimri ende është i ftohtë dhe ka dëborë. Negociatat e policisë kanë vijuar deri rreth orës 14:00. Autori ishte larguar rreth 100 metra larg shtëpisë, ku dhe iu afrua policia. Në vend që t’i përgjigjej thirrjes për dorëzim, Biba ka qëlluar ndaj policisë. Uniformat blu kanë reaguar për ta neutralizuar, por kjo e fundit ndodhi vetëm kur 50-vjeçari u qëllua me dy plumba, duke mbetur i plagosur. Në tentativë për ta neutralizuar, policia e ka qëlluar në drejtim të gjymtyrëve të poshtme. Menjëherë është nisur në një udhëtim 2 orë me automjetet e policisë dhe në spitalin e Kukësit i është dhënë ndihma e parë dhe është reanimuar. Mjekët vendosën dërgimin në Spitalin Ushtarak, drejt të cilit është nisur me helikopter. Mjekët menjëherë e kanë futur në sallën e operacionit, pasi ka dy plagë me armë zjarri në kofshë dhe në afërsi të legenit. Gjatë gjithë kohës, vrasësi ka qenë në gjendje kome nga rrjedhja e madhe e gjakut që ka vijuar deri në Tiranë e nga të ftohtit dhe nuk ka pasur mundësi të flasë asnjë fjalë. Gjithsesi, ai konsiderohet jashtë rrezikut për jetën. Rreth orës 14:00, pasi është arrestuar vrasësi, është bërë e mundur të këqyret kufoma dhe familjarët të nisin mortin. Gjatë momentit të ndalimit, Bibës i është kapur dhe arma e zjarrit me të cilën ka qëlluar mbi ish-bashkëshorten dhe policinë, një automatik pa leje “Model 63″, si dhe dy karikatorë, njëri me 22 fishekë dhe tjetri i boshatisur nga plumbat.
Policia: Autori, dy herë në psikiatri
Në komunikatën e saj zyrtare, Policia e Kukësit nuk jep ndonjë shkak apo konflikt të mëparshëm, por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Biba ishte person që ishte shtruar 2 herë në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës dhe madje në Tiranë. Pas shtrimit ai është nxjerrë sërish, sepse pas kurimeve bëhej më mirë. Një vit e dy ditë përpara se të vriste të shoqen, Irfan Biba ka qenë për herë të fundit në spital, prej nga ishte nxjerrë pasi i vdiq e ëma. Një nga drejtuesit e policisë tha se vrasësi nuk ishte njeri normal, por konsiderohej i sëmurë mendor dhe vetëm në kushtet e depresionit të madh ka kryer vrasjen. “Ai ishte shumë nevrik dhe vesveseli. Acarohej për çdo gjë që nuk i pëlqente. Madje i kërkonte të shoqes që të ndëshkonte me mosushqyerje edhe njërën nga pesë lopët e tij që nuk jepte qumësht sa kërkonte Biba”, tregon një bashkëfshatar i tij. Kohët e fundit, të afërm të dy bashkëshortëve thonë se nuk kanë pasur grindje të mëdha, por më parë ai ishte ndarë dy herë deri në dy muaj nga bashkëshortja e tij dhe e kishte dërguar tek vëllezërit e saj në fshatin fqinjë Novosej, por sërish ishin bashkuar. Sipas burimeve të komunës së Shishtavecit, familja është në gjendje të vështirë ekonomike. Kryefamiljari kishte karakter të egër dhe këmbëngulte në të tijën deri në dhunë. Çifti Biba kishte katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Djali më i madhe në vitin e parë të shkollës së mesme dhe tre të tjerët në klasën e tetë, të pestë dhe të parën. Ai trajtohej me ndihmë ekonomike si gjithë banorët e tjerë.
Precedenti në Tropojë 10 ditë më parë
Në fillim të muajit, një tjetër krim në familje ndodhi në qarkun e Kukësit. Më 3 mars, një 50-vjeçar nga fshati Luzhë i komunës Llugaj në Tropojë ka qëlluar për vdekje të shoqen, nënë e 4 fëmijëve. Naime Abazi, 41 vjeçe, u vra nga bashkëshorti i saj Xhelal Abazi, 50 vjeç. Policia arrestoi në vend autorin e krimit, i cili e qëlloi të shoqen pas një grindjeje me të gjatë orëve të para të mëngjesit.
Biba, tre plumba për bashkëshorten
Edhe pse ishte i sëmurë mendor, Irfan Biba mbante një armë pa leje në banesë. Asnjë nga familjarët e tij nuk ka guxuar ta heqë nga shtëpia automatikun, i cili dje ishte fatal për jetën e nënës së katër fëmijëve. Ajo është qëlluar me 3 plumba automatiku, siç ka konfirmuar ekspertiza. Trupi i viktimës u arrit të merrej nga shtëpia ku ndodhi krimi, vetëm pasi policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndjekur autorin, i cili nuk lejonte asnjë person të hynte në banesë. Të afërmit e saj kanë tërhequr dje trupin e pajetë të Arzes, për të kryer ditën e sotme ceremoninë e përcjelljes së saj në banesën e fundit. Ndërkohë që bashkëshorti vrasës mësohet se ka dalë nga rreziku për jetën, pasi plumbat nuk kanë qenë në organe fatale për të.