Vrau pas një grindjeje, kërkohen 15 vjet burg
SHKODËR - Prokuroria ka kërkuar 15 vite burgim për të pandehurin Pëllumb Guri, i cili akuzohet për vrasjen e Nard Lisit në qershor të këtij viti. I pandehuri Guri ka pranuar krimin dhe procesi gjyqësor ndaj tij është bërë me gjykim të shkurtuar. Në seancën gjyqësore të së hënës, akuza e përfaqësuar nga prokurorja Françeska Lekani, në konkluzionet përfundimtare të saj kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Pëllumb Guri dhe dënimin e tij me 15 vjet burg. Guri akuzohet për vrasje me dashje të shtetasit Nard Lisi, ngjarje e ndodhur më 10 qershor të këtij viti, në fshatin Bardhaj. Rreth orës 22:00, në afërsi të kishës, Nard Lisi dhe autori i ngjarjes, Pëllumb Zef Guri, patën një konflikt mes tyre. Pasi ishin debatuar e sharë, ata janë ritakuar në një nga rrugët e fshatit. Jo shumë larg derës së shtëpisë së tij, Lisi është goditur me thikë në formë brisku nga 23-vjeçari Guri, i cili e ka shtëpinë fare pranë asaj të viktimës. Nard Lisi lindur në fshatin Malagji të komunës Temal dhe banues në fshatin Bardhaj, u dërgua menjëherë në spital, por disa orë më vonë, në orët e para të 11 qershorit, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra, çka i shkaktoi vdekjen. Sipas burimeve spitalore, thika e mprehtë i kishte dëmtuar aortën dhe kishte goditur dhe një pjesë të zemrës së të riut. Pas ngjarjes, strukturat përkatëse hetimore arritën të zbulojnë autorin e ngjarjes, i cili u vetëdorëzua tek uniformat blu. Mësohet se ai e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, ndërsa ka pohuar se armën e krimit, thikën-bisturi, e kishte hedhur menjëherë pas ngjarjes. Sipas prokurorisë, shkaku i ngjarjes ka qenë një grindje e çastit.