Tre ligjet dhe ceshtja e Fierit perplasen serish PS e PD

Debati mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për çështjen e qarkut Fier ka vijuar dhe sot. Përmes replikave në distancë, përfaqësuesit partiakë kanë fajësuar njëra tjetrën për bllokimin e statusit të vendit kandidat. Jashtë sallës së Kuvendit, ku nuk u ra dakord për hedhjen në votim të tre ligjeve që lidhen posaçërisht me marrjen e statusit të vendit kandidat, deputetët Subashi e Paloka kanë ripërsëritur dhe njëherë tjetër qëndrimet politike mbi një çështje të tillë.
“Çështja e Fierit ka qenë kusht dhe vijon te jetë kusht, ne nuk jemi tërhequr nga çështja. Vendimet e gjykatave i ka në tavolinë dhe ne i presim ti zbatojë ato vendimet dhe ti japë fund qarkut, historia e këtij gjyqi është një histori gati 1 vjeçare, janë bërë me dhjetëra seanca nga fillimi i korrikut dhe deri në fund të tetori janë shtyrë mbi 5-6 seanca gjyqësore pasi nuk zhvillonim dot një seancë të rregullt dhe kjo situatë e mbarsur erdhi deri në këtë moment dhe padyshim nuk ka një lidhje. Ja ku jemi prapë sot do jemi prapë nesër dhe pas një jave nëse nuk zgjidhet çështja e qarkut të Fierit do jemi prapë këtu dhe nuk ka lidhje me datën 20 nëntor”, u shpreh, deputeti socialist, Subashi.
Nga ana e tij, deputeti demokrat Paloka e cilësoi të turpshme tërheqjen e PS-së nga gjykimi në themel i çështjes së Fierit, një ditë pas skadimit të afatit për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE.
“Unë ja qaj hallin kolegut tim Subashi se është i detyruar të mbrojë një akt të turpshëm se ajo që ndodhi me Fierin është e turpshme, por jo e papritur. Mos harrojmë se kur morën anëtarësimin në NATO vendi ishte në protesta dhe e mbyllën pasi e morëm, kështu ndodhi dhe me liberalizimin e vizave. Edhe sot datën kur u vendos përgjigjja negative për statusin kandidat në BE u bë tërheqja e turpshme, nga kërkesa absurde e qarku të Fierit. Sot përpiqen të justifikohen për është i turpshëm”, deklaroi Paloka.