Tre megaton eksploziv për të shkulur një ministër
Nga Armir SHKURTI
Të zësh shembuj nga bota se si kanë dhënë dorëheqjen titullarë të ndryshëm nëpër Perëndimin e qytetëruar, do të thotë të çosh dëm kartën dhe bojën. Mjaft të kujtojmë që, pak muaj më parë, për shkak të një konflikti me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve dhe akuzave të këtij të fundit për përfshirje të vëllait të Rusmailit në marifete tenderash, ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen. “Ky është standardi ynë!” - shpalli Berisha. Në qoftë ky standardi, kur tjetër dorëheqja pas “Gërdecit”? Nëse të shtunën mbrëma, në vend të kryeministrit do kish dalë ministri i mbrojtjes të merrte përgjegjësitë e të linte postin, atëherë mund të quhej se kjo qeveri vjen era shtet ligjor. Por pikërisht në mbrëmjen e katastrofës Berisha, gjysmëtërthortas e gjysmëdrejtpërdrejt, e mori përsipër vet këtë përgjegjësi kur shpalli botërisht se në gjithë këtë mesele Ministria e Mbrojtjes ka patur vetëm transportin. Duke qenë përgjegjëse VETËM për transportin, kjo ministri nuk është as pronare e lëndës së parë, pra municionit, as përgjegjëse për licencimin e kompanive që zbërthejnë predhat dhe as për kontrollin e këtij aktiviteti. Me rregull treshi, i bie që këto tagra t’i ketë marrë kryeministri që i del për zot çdo gjëje në këtë çështje. Pra, siç erdhën punët Mediu më tepër ngjan me kurbanin e kësaj historie sesa me përgjegjësin e saj. Por edhe në qoftë i vetmi përgjegjës ministri i Mbrojtjes, nga përmasat dhe nga mënyra sesi rrodhi katastrofa, bashkë me Mediun duhet të mblidhte plaçkat edhe kryeministri. Jo thjesht pse rëndom Berisha e quan qeverinë e Shqipërisë “qeveria ime”, jo vetëm se ministri i Mbrojtjes është një ndër katër shtyllave kyçe të një qeverie, por mbi të gjitha sepse për shkak të detyrës së tij ka shkelur kushtetutën, nenin 21 të saj, ku shprehimisht thuhet se “jeta e personit mbrohet me ligj”. Mijëra jetë civilësh u vunë në rrezik serioz, qindra u cenuan dhe dhjetëra humbën pikërisht nga mënyra e të qeverisurit të këtij kryeministri. Si të qe ndonjë ndrikull e motshme kryeministri i vendit informonte qytetarët e tij përmes asaj që “i kishin thënë” apo “kishte dëgjuar” dhe asnjëherë si titullar të cilit kanë detyrim ligjor t’i raportojnë absolutisht të gjitha institucionet përgjegjëse për katastrofës. Në asnjë prej daljeve në publik i pari i qeverisë nuk kishte me vete qoftë edhe një copë letër me firmë e me vulë për t’u rrëfyer shqiptarëve se si u bë tenderi për municionet, dokumentacioni teknik i firmës, planimetria teknologjike, lista e punëtorëve, ajo e sigurimeve etj., etj. Përtej çdo logjike shtetërore është edhe fakti që një kryeministër me gojën plot pranon se në këtë firmë që ka kontratë me shtetin punohet në të zezë dhe se kjo nuk është çudi pasi në këtë vend rëndom gjen njerëz që punojnë të pasiguruar! Në e ka me tërë mend shteti, bashkë me Mediun duhej të bartej edhe kreu i shërbimit informativ shtetëror, që nuk ka informuar për punishten. Apo ia ka informuar, por nuk ia ka vërshëllyer kush? Mbase që ai vet nuk ka dhënë dorëheqjen dhe as që i del emri gjëkundi do të thotë se ai punën e tij e ka bërë por nuk ia kanë marrë parasysh? Sa më shumë të kruash në këtë katastrofë aq më shumë argumente gjen që zoti Berisha të japë dorëheqjen. Por pas vdekjes gjëja më e sigurt në këtë botë është që, për këtë ngjarje, vetëm Berisha nuk e jep dorëheqjen. Është shumë i turpshëm për një politikan një fund i tillë, domethënë të ikë dy herë nga kolltuku për të njëjtin motiv: prej depove të armëve. Herën e parë, në ’97-ën, u desh të hapeshin gjithë depot e armatimit, nga Jugu në Veri që më në fund të kandisej presidenti i atëhershëm të linte fronin. Tani, tre megaton eksploziv dalin vetëm për të spostuar një ministër. Këtë e di, madje edhe e do edhe opozita. Kërkesat e së hënës për ikjen e Berishës nga e majta qenë të detyruar. ǒdo t’i duhej pastaj Shqipërisë një opozitë që as në këtë qamet të mos ndihej. Në fund të fundit nga llafet nuk ka gjetur gjë njeri në politikën e këtij vendi. E quajti Berisha Nanon mafioz, vrasës, padrino, hajdut e ç’nuk e quajti, por Nano i ngrysi për mrekulli mandatet e tij dhe e keqja asnjëherë nuk i erdhi nga opozita por gjithnjë nga të tijët. E ka cilësuar Rama Berishën me të gjitha të zezat mbi dhe, por këtij të fundit s’i ka hyrë gjemb në këmbë. Kështuqë, se lan edhe një herë gojën e i kërkon edhe këtë herë kryeministrit të ikë, keq nuk bën opozita. Madje me këtë përshesh ku ndodhet e majta sot duket se më frikë kanë ata nga zgjedhjet sesa PD dhe kryetari i saj. Edhe sikur të gjitha palët ta kenë me qejf, sërish zgjedhje të sakta nuk bëhen dot se as kartat e identitetit nuk janë gati e as reforma me legjislacionin përkatës. Ndaj them që ky mal baruti i Gërdecit nuk del për të na e shkulur Berishën.
19 Mars 2008