Në Shqipëri është cenuar rëndë siguria
Letër e hapur drejtuar Presidentit të RepublikëS
Nga Petrit Zambaku*
Zoti President i Republikës!
Ngjarja e Gërdecit ka cenuar rëndë sigurinë dhe ka bërë që të reflektojnë thellë të gjithë shqiptarët. Një ndër ato jam edhe unë, që po ju drejtohem me këtë letër të hapur. Ju drejtohem Ju zoti President, për shkak të cilësive që u jep ligji në fushën e sigurisë kombëtare.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e miratuar me ligjin nr. 9322, datë 25.11.2004, që është ende në fuqi në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht se tre vjet pas miratimit të saj duhej të ishte rishikuar, në pikën 78, parashikon se; Presidenti i Republikës me cilësitë kushtetuese të Kryetarit të Shtetit, të përfaqësuesit të unitetit të popullit, të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, është funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve dhe objektivave të sigurisë së vendit dhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave kombëtare.
Zoti President!
Ngjarja e Gërdecit, është analizuar në të gjithë këndvështrimet, në atë humanitar, ekonomik, politik, kriminal, etj. etj, përveç atij të sigurisë, ndaj do të dëshiroja që Ju ta shikonit dhe analizonit nga ky këndvështrim. Në këtë mënyrë mund të arrini të nxirrni shkaqet reale dhe do të mund të ndihmoni për parandalimin e ngjarjeve të pritshme.
Nëse ngjarja e Gërdecit do të ishte e para dhe e vetmja, të gjithë do të mendonim se ajo qe një aksident i hidhur, i ardhur nga rrethana të rastësishme, por fatkeqësisht nuk është kështu. U bë një kohë e gjatë që nuk guxojmë të hapim televizorin, për shkak të njoftimeve rrëqethëse. ǒdo ditë ndodhin krime nga më makabret si; vrasje, vetëvrasje, vrasje brenda familjes, aksidente në punë, aksidente në rrugë, etj., etj., etj. Ngjarjet e rënda në Shqipëri nuk janë më rastësi. Ato janë kthyer në fenomene dhe kanë shkaqe të qëndrueshme që i prodhojnë. Vdekja është e pranishme kudo. Situata kriminale në këto përmasa nuk është më vetëm çështje rendi dhe qetësie, por është shndërruar në çështje sigurie. Në këto rrethana është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Juaja të merrni në dorë situatën dhe të udhëhiqni punën për të kthyer sa më parë sigurinë, shpresën, besimin dhe qetësinë tek qytetarët. Për ta realizuar këtë Ju duhet të evidentoni më parë shkaqet e ngjarjeve të rënda.
Shqipëria pavarësisht nga vështirësitë, ndjek në mënyrë të natyrshme një cikël zhvillimi ekonomik. Pas një ndërprerje për shkak të pasigurisë në vitin 1997, qytetarët rifilluan të zhvillojnë iniciativën e lirë. Biznese të shumta janë krijuar kudo në Shqipëri, por në shumë raste ato nuk plotësojnë kushtet e sigurisë. Janë ndërtuar pallate, hotele, linja prodhimi, restorante, shtëpi banimi, etj. jashtë çdo kushti sigurie dhe fatkeqësisht shteti nuk ka të përcaktuar një politikë të qartë që përmirëson gjendjen.
Sipërmarrësit e rinj në Shqipëri për shkak të mungesë së kontrollit nga shteti dhe shpeshherë të bashkëpunimit me të, nuk i ndal asgjë para fitimit. Rasti i Gërdecit është më tipiku. Nëse qendra e çmontimit të municioneve do të ishte vendosur në një zonë të pabanuar dhe të largët, do të kishte ulur fitimet e kontraktuesve, për shkak të transportit, masave të sigurisë, gjetjes dhe transportit të krahut të punës, etj. Për këtë është bërë zgjedhja më e keqe, duke e ngritur linjën në një vend të papërshtatshëm. Mungesa e seriozitetit dhe kontrollit nga shteti ka bërë gjithashtu që aty të punojnë njerëz krejtësisht të pa kualifikuar, në një kohë kur Shqipëria ka me shumicë njerëz të kualifikuar në fushën ushtarake dhe që janë të pa punë!
Zoti President, Strategjia e Sigurisë Kombëtare parashikon mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së shtetasve, si një ndër detyrat bazë të sektorit të sigurisë. Situata e krijuar në Shqipëri evidenton se ky sektor nuk funksionon siç duhet. Jeta dhe prona e qytetarëve është e kërcënuar ç’do ditë! Qytetarëve u është lëkundur besimi se mund të jetojnë të sigurt në vendin e tyre. Kjo është e palejueshme, sepse cenimi i sigurisë nuk vjen nga faktorë objektivë, që nuk mund të parashikohen dhe parandalohen, por për shkak të paaftësisë së sektorit të sigurisë!
Reformimet dhe ristrukturimet që janë realizuar në sektorin e sigurisë, që përbëhet nga Rendi, Mbrojtja, SHISH dhe Emergjencat Civile, jo vetëm nuk kanë sjellë rezultatet e dëshiruara, por përkundrazi e kanë dobësuar atë deri në atë pikë sa nuk mund të realizojë misionin e vet. Largimet e pamotivuara nga puna të specialistëve dhe emërimet e joprofesionistëve po i japin efektet negative çdo ditë. Mangësi serioze është edhe mungesa e kontrollit demokratik mbi këtë sektor.
Për publikun janë të njohura disa nga problemet që pengojnë mbarëvajtjen e punës së institucioneve të sigurisë. Mbrojtja, si institucion shumë i rëndësishëm është përfshirë nga euforia dhe pritja për tu anëtarësuar në NATO. Të gjitha zgjidhjet i pret nga anëtarësimi. Është harruar se më parë duhen plotësuar standardet e sigurisë së brendshme.
Institucioni që ka për detyrë ruajtjen e rendit, nuk ka një vizion të qartë për çështjet e sigurisë. Puna e tij është orientuar vetëm nga krimi i rrugës. Drejtuesit nuk kuptojnë se problemet e moszbatimit të ligjit dhe rregullave mund të çojnë në cenim të sigurisë. Mundësitë e Policisë për ta parandaluar janë të mëdha, sepse ka struktura që ushtrojnë aktivitetin në të gjithë territorin. Nëse ato bëhen efiçente, mund të parandalojnë ngjarje dhe fatkeqësi të mëdha.
Shërbimi Informativ Shtetëror për shkak të nënvleftësimit nga ekzekutivi, por edhe për shkak të paaftësisë së tij, është sterilizuar dhe nuk mund të kryej detyrat që i ngarkon ligji në funksion të sigurisë.
Sektori i Emergjencës Civile, është pothuaj inekzistent në situata normale. Ai bëhet i dukshëm vetëm në kohë fatkeqësish. Ky sektor duhet të realizojë detyra edhe kur nuk ka emergjenca. Duhet që në bashkëpunim me pushtetin lokal të punojë për përcaktimin e shkaqeve që mund të çojnë në emergjenca civile. Këtë detyrë deri tani nuk e ka kryer siç duhet.
Zoti President i Republikës, për gjithë këto arsye Ju duhet të ndërhyni për përmirësimin e gjendjes. Bëjeni, sepse për sigurinë e vendit janë të interesuar të gjithë, ndaj do të gjeni mbështetje.
*Ish punonjës i sektorit të sigurisë
19 Mars 2008