Bilanci i personave të shtruar në spitalet e huaja
Numrit të personave që kanë rezultuar në gjendje të rëndë shëndetësore i janë shtuar edhe pesë persona që shkuan mbrëmjen e dy ditëve më parë. Pesë pacientët u transportuan me helikopter për në Spitalin e Barit në Itali, pasi gjendja e tyre shëndetësore ishte e përkeqësuar dhe djegia ishte në pjesën më të madhe të trupit. Deri tani ka arritur në 21 numri i të shtruarve në spitalet italiane dhe greke. Në Bari të Italisë janë transportuar 16 persona, të cilët po kurohen nën kujdesin e mjekëve italianë. Ndërsa në Greqi ka shkuar në gjashtë numri i personave të dëmtuar, që po marrin një shërbim më të specializuar. Gjendja e tyre është e vështirë, ndërsa informacionet nga jashtë vendit tregojnë se mjekët po bëjnë të pamundurën për kurimin e tyre dhe rikthimin pranë familjes.
Ndoka: ”Të dëmtuarit, jashtë rrezikut për jetën”
Të dëmtuarit që prej ditësh janë shtruar në spitale janë jashtë rrezikut për jetën. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, zhvilloi një takim me drejtuesit e QSUT-së dhe Spitalit Ushtarak për të parë gjendjen shëndetësore të 45 të plagosurve të shtruar. Ministri Ndoka deklaroi se gjendja shëndetësore e pacientëve të shtruar është e mirë. Ndoka theksoi se një përkujdesje e veçantë po i kushtohet edhe trajtimit për përmirësimin e gjendjes psikologjike. “Pacientët e shtruar po përballojnë një situatë të vështirë edhe nga ana psikologjike. Ata veç plagëve të marra, kanë humbur edhe të afërmit e tyre. Për këtë arsye, një kujdes i veçantë po i kushtohet edhe shërbimit psikologjik”,- u shpreh ministri Ndoka. Sipas Ministrit, mjekët po e kryejnë detyrën e tyre me të njëjtën përkujdesje, pavarësisht ngarkesës së punës gjatë ditëve të fundit.
Nga të dhënat e mjekëve nuk mendohet të transportohet ndonjë pacient tjetër për kurim në vendet fqinje, pasi ata po marrin shërbimin e duhur mjekësor në vend. Lidhur me gjendjen shëndetësore të 16 të plagosurve të transportuar për kurim në Itali, Ndoka tha se dy prej pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa po mbahen kontakte të vazhdueshme me autoritetet italiane.
19 Mars 2008