E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet gjendja shëndetësore e të plagosurve

Të plagosurit e Gërdecit,që janë në gjendje më të rëndë,ndodhen të shtruar në Reanimacionin e QSUT-së. Burime nga personeli mjekësor pohojnë se deri dje numri i pacientëve në reanimacion ka shkuar në tetë. Të gjithë këta të plagosur janë në gjendje kritike për jetën për shkak të plagëve që kanë marrë nga shpërthimi. Në dy spitalet më të mëdhenj të vendit qëndrojnë ende 45 persona të shtruar që mbijetuan nga shpërthimi i paimagjinueshëm në Gërdec. Një pjesë e tyre janë duke luftuar me vdekjen, ndërsa familjarët presin me lot në sy në dyert e spitaleve të vrarë dhe të gjymtuar. Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe në Spitalin Ushtarak gjenden aktualisht të shtruar 45 të plagosur nga shpërthimi i tri ditëve më parë në Gërdec të Vorës. Në QSUT po trajtohen 22 persona dhe në Spitalin Ushtarak 23 pacientë. Në Pavijonin e Djegie-Plastikës aktualisht janë të shtruar 14 pacientë, ndërsa në reanimacion tetë veta. Reanimacionit të Djegie-Plastikës iu shtua edhe një pacient, Sadik Sula, që është në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjendja e pacientëve të tjerë në pavijon është jashtë rrezikut për jetën. Familjarët që presin në oborrin e spitalit tregojnë se nuk kanë ankesa nga mjekët. Bluzat e bardha kanë qëndruar gjatë gjithë kohës duke u kujdesur për pacientët. Madje, mjekët kanë shpenzuar nga xhepi i tyre duke blerë barna ditën e fluksit të të ardhurve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gjetja e trupave të tjerë ka shkaktuar amulli në ambientet e Djegie-Plastikës, ku familjarët kanë kërkuar të shohin të afërmit e shtruar dhe njëkohësisht për të shkuar pranë morgut për të identifikuar viktimat. Pranë portave të morgut një numër i madh personash qëndrojnë në pritje për të identifikuar viktimat. Ankthi i ka pushtuar dhe gjendja psikologjike është tepër e rëndë. Çdo orë që kalon është makth për ta për të gjetur të mbijetuari në rrënojat e shtëpive të shkatërruara plotësisht nga shpërthimi.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›