E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri sekret: Mos jipni informacione mbi tragjedinë

Kryeministria hermetizon informacionet mbi bilancin pas shpërthimit në Gërdec. Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet duhet të raportojnë vetëm në Shtabin e EmergjencëS
Emanuela Sako

Urdhër sekret për bluzat e bardha për të mos dhënë asnjë informacion mbi të plagosurit apo të vdekurit e Gërdecit. Një telefonatë në mëngjes nga Ministria e Shëndetësisë i ka bërë të njohur të gjithë personelit që kujdeset për të plagosurit e Gërdecit që të mos japin asnjë informacion. Burime pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza” pohuan dje për gazetën “Albania” se u ndalohet të japin informacione për mediat për të prekurit nga tragjedia e Gërdecit. Të njëjtat burime nga QSUT-ja shpjeguan dje se i gjithë informacioni që do të marrë formën e bilancit duhet të kalojë në rrugë të tjera zyrtare për të mbërritur fillimisht në Kryeministri. Sipas burimeve, Drejtoria e QSUT-së dhe Spitali Ushtarak duhet të raportojnë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministria duhet të raportojë në Shtabin e Emergjencës të ngritur në Kryeministri. Ekskluzivitetin e dhënies së informacioneve mbi situatën e të sëmurëve dhe të trupave të zhdukur apo atyre të gjetur e ka vetëm Kryeministria. Gjithçka mbetet e fshehtë nga institucionet përkatëse, ndërsa mediat mund të marrin vetëm ato çfarë shohin apo duke gjetur mënyra të tjera për të njohur situatën.
Urdhri
Deri tani nuk ka ndonjë shkresë zyrtare për urdhrin e dhënë, por gjithçka është komunikuar nëpërmjet telefonit. Ndërkohë, në Pavijonin e Djegie-Plastikës hyrja e gazetarëve nuk lejohet. Gjatë gjithë këtyre ditëve të tragjedisë së tmerrshme që ndodhi në fshatin Gërdec, institucionet përkatëse kanë hezituar të japin të dhëna të sakta për numrin e viktimave. Ende nuk është përpiluar një listë me emrat e të gjithë personave të zhdukur, sidomos të atyre personave që kanë punuar në repartin e çmontimit në Gërdec. Shifrat kanë ngelur ende të lëkundura dhe informacionet janë marrë vetëm nga rrëfimet e punëtorëve, por nuk është saktësuar numri i punëtorëve ditën e shpërthimit të madh. Zinxhiri i informacioneve që do të kalojë nëpërmjet institucioneve detyrimisht do të jetë më i detajuar, por nuk dihet ende nëse të gjitha të dhënat do të bëhen publike.
Informacioni
Informacionet zyrtare që janë përcjellë nga spitalet, Ministria e Shëndetësisë apo Shtabi i Emergjencës në Kryeministri nuk kanë qenë të detajuara nga çfarë shihej në vendin e ngjarjes apo nga prononcimet e të dëmtuarve. Ndërkohë, informacionet nga vendngjarja kanë treguar për më shumë viktima dhe më tepër persona të zhdukur. Ndërkohë, numri i viktimave po shtohet çdo ditë e më shumë. Bilanci përfundimtar pritet të dalë së shpejti, pasi të kenë mbaruar kërkimet e ekspertëve në rrënojat e repartit, që la pas hirin e shumë familjarëve që historia nuk do të mund ta lërë në harresë.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›