E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat biometrike - Liberalizimi i vizave, qeveria mendon të kufizojë vlefshmërinë e pasaportave aktuale

Nëse deri në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm mbi 1 mln shtetas shqiptare nuk do të jenë të pajisur me pasaporta biometrike, atëherë do të jetë qeveria që do të marrë masa, për përmbushjen e këtij detyrimin. Qeveria ka gati ligjin, për të kufizuar përfundimisht afatet e vlefshmërisë së dokumenteve aktuale  

TIRANE - Procesi i pajisjes së shtetasve me pasaportat e reja biometrike po ecën me ritme të kënaqshme dhe dita-ditës numri i aplikantëve për dokumentin e ri, i domosdoshëm për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen, është në rritje. Por, për ta bërë këtë proces më efiçent dhe për realizimin në kohë të tij, Ministria e Brendshme ka gati projektligjin, që synon të kufizojë afatet e pasaportave aktuale.
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, u shpreh dje se ritmet aktuale të aplikimeve për pasaportën biometrike janë të kënaqshme, por Ministria e Brendshme ka gati një projektligj që mund t’i kalojë qeverisë për miratim.
Sipas tij, ligji do të kufizojë afatet e vlefshmërisë së pasaportave aktuale, për t’i dhënë prioritet absolut, pasaportave biometrike, dokumenti themeltar nga i cili varet procesi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve. “Besoj se do ta nxjerrim vendimin, vendimi është i shkruar nga ministria, por i takon qeverisë shqiptare ta vlerësojë oportunitetin se kur duhet të dalë vendimi, por qytetarët duhet ta dinë që është më e mirë kjo pasaportë, dhe shumë mirë ta kenë atë, dhe baza jonë e të dhënave ia ofron të gjitha mundësitë, për të kontrolluar përveçse pasaporta kontrollohet dhe vetë. Pasaporta, karta, janë dokumente që verifikohen me vetveten, në kuptimin e disa parametrave të kontrollit, standarde të nivelit të parë, të nivelit të dytë e të tretë.
Por pastaj nëse do duhet të kontrollohet me qendrën tonë të personalizimit që është një qendër supermoderne”, u shpreh Ferdinant Poni, zëvendësministër i Brendshëm.
Sipas Ponit, nëse deri në fund të vitit të ardhshëm mbi 1 milion shtetas shqiptare nuk do të jenë të pajisur, atëherë do të jetë qeveria që do të marrë masa, për përmbushjen e këtij detyrimin.
Dokumentet biometrike të identifikimit të shtetasve shqiptare kanë elementët më të lartë të sigurisë, dhe përmbajnë informacionin e domosdoshëm për identifikim edhe nga autoritetet e vendeve të huaja.
Pajisja me pasaportat biometrike me të gjitha elementet e lartë të sigurisë, përbën një kusht themelor për liberalizimin e vizave, për të gjithë shtetasit shqiptarë. Qeveria ka bërë me dije se shtetasit shqiptarë që nuk do të disponojnë një pasaportë biometrike, nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe, për pasojë, nuk do të mund të qarkullojnë pa to në vendet e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, përfaqësues të lartë të kabinetit qeverisës kanë theksuar se procesi për pajisjen me pasaporta do të zgjasë deri në fund të vitit 2009 dhe fillimi i vitit të ardhshëm, nëse do të ecet me të njëjtin ritëm si me atë të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit.
Në momentin kur një qytetar do të paraqesë një pasaportë biometrike, do të ketë një përfaqësim shumë më dinjitoz nga policitë kufitare të çdo vendi europian. Pasaporta aktuale tashmë është e njohur nga të gjitha shtetet, është e njohur nga të gjitha ambasadat, është e integruar në të gjitha sistemet e kontrollit, në të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë Evropën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›