Tre në pranga me 150 euro false
Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë 20-vjeçarin Gjokë Dodaj, Drilon Gjinaj 21 vjeç, dhe Gjergj Nikollin 32 vjeç, për veprën penale të “falsifikimit të monedhave”. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se operacioni për ndalimin e tyre është zhvilluar në mënyrë të menjëhershme në dy rrethe, Lezhë dhe Fushë-Krujë, ndërsa policia kishte mundur të siguronte prova të mjaftueshme për të tre të arrestuarit, ku edhe kishte mundur të kapte edhe prova të pakontestueshme duke i filmuar para arrestimit të rinjtë që merreshin me falsifikimin e lekëve. Të njëjtat burime shprehen se i pari është arrestuar në afërsi të banesës së tij Gjokë Dodaj; në qytetin e Lezhës është arrestuar Drilon Gjinaj, ndërsa Gjegj Nikolli është arrestuar në Fushë- Krujë pas kontrollit edhe në banesë të tij, ku policia arriti të kapte dhe disa euro false. Sipas të njëjtave burime, të tre personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një pikë sigurimesh automjetesh në Lezhë kishin prerë siguracionin e makinës së Gjokë Dodajt me para false pak ditë më parë. Pronari i kësaj pike i ka denoncuar ata në polici, e cila ka nisur menjëherë hetimin. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar gjithsej 150 euro të dyshuara si të falsifikuara, 50 euro me të cilat është blerë siguracioni, si dhe 100 euro që iu gjendën gjatë kontrollit Gjokë Dodajt.