E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i fëmijëve autikë

Elbasan-Vjen në rritje numri i fëmijëve autikë në Elbasan. Qendra që trajton këtë patologji dhe aktorë të tjerë si shoqata joqeveritare dhe vullnetarë kanë grumbulluar të dhënat në shkallë rrethi falë një nisme të organizuar nga kjo qendër me mbështetjen edhe të Drejtorisë Arsimore. Prej 7 muajsh në këtë qytet është në funksion qendra e dytë më e madhe në vend në shërbim të fëmijëve që janë identifikuar autikë. Kjo qendër trajton mesatarisht çdo ditë 20 fëmijë të moshës nga 2-6 vjeç nga një staf i specializuar terapistësh e psikologësh, të cilët më pas i referojnë këto raste pranë komisionit të posaçëm në Tiranë, i përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme. Sipas drejtoreshës së Qendrës së Fëmijëve autikë në Elbasan, Bela Boçi, gjithçka është arritur në sajë të kujdesit të drejtpërdrejtë të zj. Liri Berisha, e cila është interesuar si për specializimin e stafit, ashtu edhe për mbarëvajtjen e qendrës. Zj. Boçi shprehet se gjatë kësaj periudhe suksesi i qendrës ka qenë i garantuar. “Në fillim pati edhe pak skepticizëm nga prindër të veçantë, por kur rezultatet filluan të jenë konkrete, atëherë interesi i të gjithë prindërve për të sjellë tek ne fëmijët autikë për trajtim ka qenë i madh”. Drejtoresha nënvizon faktin se nga anketimet e kryera rezulton se rastet e fëmijëve autikë vijnë gjithnjë e në rritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›