E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen të rinjtë, po vidhnin kabllon e dritave të autostradës



TIRANË - Vjedhjet e bëra kanë çuar në pranga gjashtë persona, pesë prej tyre adoleshentë. Policia e Tiranës tha gjatë ditës së djeshme se gjatë mesditës, efektivët e Komisariatit Nr. 6 kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy të miturve, të dyshuar për vjedhje. Policia tha se janë ndaluar E. H., 16 vjeç dhe M. C., 16 vjeç, sepse rreth orës 02:00, në afërsi të Casa Italia, janë kapur nga shërbimet duke vjedhur në afërsi të kthesës së Kamzës një sasi kablloje elektrike, e cila shërbente për ndriçimin e autostradës Tiranë-Durrës. Gjithashtu dy të rinjve u është gjetur dhe sekuestruar dhe një sasi lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Po kështu, nga patrullat policore të Komisariatit Nr. 6 janë ndaluar në flagrancë dhe tre të rinj të tjerë, të akuzuar sërish për vjedhje. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se janë kapur në flagrancë Klajdi Tahiraj, 18 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Gjithashtu janë arrestuar dhe R. H., 16 vjeç dhe T. Ll., 16 vjeç, të dy banues në zonën e Unazës së Re. Tre të rinjtë janë vënë në pranga pasi janë kapur nga shërbimet policore pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të disa vjedhjeve të dyqaneve të ndodhura në Unazë të Re. Pas një kontrolli të ushtruar ndaj tyre janë gjetur disa materiale hidraulike dhe elektrike. Po ashtu, dje, efektivët e Komisariatit Nr. 1 kanë bërë ndalimin e Valmir Canit, 26 vjeç, banues në Elbasan. Ndalimi i tij është bërë pasi dyshohet se është autor i vjedhjes së ndodhur më datë 9 shkurt 2010, ku janë vjedhur disa kompjuterë në një zyrë e ndodhur në Kopshtin Botanik në Tiranë. Për të gjashtë personat, policia tha se ka përgatitur dosjet dhe ato do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme ndaj tyre.

Droga
Dy shqiptarë në pranga, një i tretë dënohet
OLBIA - Policia italiane ka arrestuar dy emigrantë shqiptarë në një aksion kundër trafikimit dhe kontrabandës së drogës. Dashamir Hoxha, 35 vjeç dhe Altin Mullalli, 29 vjeç, janë arrestuar me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike. Ata u ndaluan nga policia pasi kishin blerë një sasi narkotike nga shpërndarësit e drogës, duke pretenduar se po e mbanin lëndën narkotike për përdorim personal. Policia tha se sasia e drogës që u është kapur shqiptarëve ishte më e lartë dhe dyshohet se do të përdorej për shpërndarje. Ndërkohë, një gjykatë në Itali ka dhënë dënimin për emigrantin shqiptar Odeal Hoxha, një boksier amator, i cili është kapur me lëndë narkotike në nëntor 2009. Sipas gjykatës italiane, shqiptari është dënuar me tetë muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë, pasi vitin që shkoi është kapur me 7 gramë kokainë, e cila shitej së paku me 60 euro për çdo gram.

Gruaja denoncon burrin se e rrihte
KORÇË - Një grua e dhunuar ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj, duke pohuar e ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Lajmi është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme, nga burimet zyrtare të Policisë së Korçës. Sipas tyre, gruaja që ka bërë kallëzimin është R. Hysollari, 27 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj është 39-vjeçari Arben Hysollari, që të dy banues në fshatin Gjenomadh të Korçës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta dhe se bashkëshorti i denoncuar do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”. Ai është marrë në pyetje dhe më pas është lënë i lirë për t’u hetuar.

Qëllon me armë në gjendje të dehur
KORÇË - Në gjendje të dehur një person ka qëlluar në mes të natës dy herë në ajër me çifte, duke shqetësuar njerëzit, të cilët kanë kryer edhe denoncimin ndaj tij në polici. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Korçës, sipas të cilave, ngjarja ka ndodhur në fshatin Bregas të këtij rrethi ku në afërsi të një lokali të fshatit, ku po zhvillohej një ceremoni familjare. Autori i saj mësohet se është 31-vjeçari Xhimi Kurti, banues i këtij fshati, ndaj të cilit u kryen veprimet hetimore procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”. Sipas policisë, dosja me materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

Vjedhja me dhunë, pranga pas 1 muaji

KURBIN - Një i ri është vënë në pranga pasi është akuzuar për vjedhje. Policia e Lezhës tha se dy ditë më parë, në orën 19:00, është bërë ndalimi i shtetasit Ervis Tafaj, 22 vjeç, banues në Lagjen Nr. 5, Sanxhak, të rrethit Kurbin. Uniformat blu thanë se ndalimi i tij është bërë i ditur pasi ky person ka qenë i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Kurbin që nga data 24 mars e këtij viti. Ai ishte shpallur në kërkim pasi ishte i dyshuar për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”, ngjarje e ndodhur në një prej fshatrave të Kurbinit. Pas arrestimit të tij, 22-vjeçari Tafaj është dërguar për në Policinë e Kurbinit, ku dhe do të hetohet.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›