E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimet nga puna, shteti skeme antiligjore per te penguar ekzekutimin e vendimeve te Permbarimit



Laureta Rryçi

Juristët e institucioneve shtetërore kanë gjetur një skemë të re për të penguar ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se në sekretari janë regjistruar rreth 100 padi të tilla, që ndryshe njihen si kundërpadi për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Një padi e tillë zgjat më shumë se 254 ditë dhe e gjitha kjo është kohë në favor të institucionit. Të tilla kundërpadi po përdoren edhe nga qytetarët për të mos humbur pasurinë e paluajtshme që rrezikojnë nga vendimet e formës së prerë të gjykatave. Përmbaruesit e kanë më të vështirë të zbatojnë një vendim gjykate kur palë është shteti, sesa kur palë është individi. Këtë fakt e tregon më së miri edhe numri i dosjeve që kanë zënë pluhur në zyrat e përmbaruesve të Tiranës. Sipas burimeve pranë kësaj zyre, renditen një numër i madh dosjesh që presin për ekzekutim. Të njëjtat burime shpjegojnë se numri më i madh i këtyre dosjeve janë ato për rikthim në punë me vendim gjykate të formës së prerë që nuk janë ekzekutuar ende. Të gjitha këto dosje për rikthimet në detyrë falë një vendimi gjykate, janë kosto e dyfishtë për buxhetin e shtetit. Po këto statistika tregojnë se është rritur ndjeshëm numri i dosjeve që ka si palë qytetarin.
Përmbarimi
Përmbaruesit e kanë më të lehtë të zbatojnë një dosje që ka palë qytetarët, sesa ato që kanë institucionet shtetërore. Me gjithë premtimin e kryeministrit Sali Berisha se kërkon ekzekutimin me 100 për qind të dosjeve, sërish asnjë nga ministrat nuk e ka zbatuar këtë urdhër të shefit të tyre. Shpeshherë ata që fitojnë një proces të tillë civil u gëzohen vetëm dëmshpërblimit që fitojnë, pasi e dinë që një vendim i tillë gjykate do t’u shërbente për të fituar punën kur në pushtet do të vijë partia e tyre. Dhjetëra dosje “flenë” nëpër zyrat e përmbaruesve, duke mos ua gjetur dermanin edhe për zbatim nga Ministria e Financave për dëmshpërblim. Përmbaruesit shprehen se shpesh kanë qenë të detyruar të gjobisin edhe ministri të ndryshme me nga 50 mijë lekë për moszbatim të vendimeve të gjykatës. Megjithatë, edhe kjo mënyrë nuk ka rezultuar pozitive për shkak se vendimet vazhdojnë të mos zbatohen.
Kostoja
Nga reforma politike e deri në një vendim të gjykatës ndodh një proces zinxhir që ka një kosto të dyfishtë për buxhetin e shtetit. Të gjitha largimet e padrejta nga puna për arsye politike ndëshkohen me vendim gjykate duke përfituar kështu nëpunësit e larguar. Menjëherë, në këtë moment, shteti kthehet në borxhli ndaj kësaj pjese që i përket administratës, kur në të njëjtën kohë po paguan diletantët e partisë në pushtet. Sakaq, dosjet, pasi marrin vendimet e formës së prerë, qëndrojnë për vite me radhë në zyrat e përmbaruesve, në pritje të zbatimit.

Box

Përmbarimi privat, ende i pazbatueshëm në vendin tonë
Përmbarimi privat, edhe pse ende i pazbatueshëm në vendin tonë, duket se do të jetë e vetmja zgjidhje për të frenuar njëherë e mirë zvarritjen e ekzekutimeve të këtyre vendimeve nga ana e përmbaruesve. Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka përgatitur vetëm bazën ligjore se si do të funksionojë përmbarimi si një aktivitet privat, por ende nuk janë hartuar aktet nënligjore për rregullat e konkursit që do të përzgjedhë juristët për të marrë një licencë të tillë. Hartuesit e ligjit për shërbimin privat të përmbarimit janë shprehur se në momentin që do të funksionojë ky shërbim, do të ndryshojë situata aktuale nëpër zyrat përmbarimore në vend. Sipas tyre, skema e re do të funksionojë në atë mënyrë që do të ketë interes si shteti, ashtu dhe përmbaruesi privat që ta ekzekutojë dosjen sa më parë. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë janë të mendimit se kategoritë e Titujve Ekzekutivë si kontraktuale private (lirim banese etj.), të cilat për momentin mbartin mjaft problematikë për mungesë mjetesh logjistike, do të bëheshin ndoshta më efektive për faktin e sigurimit të këtyre mjeteve. Por, nga ana tjetër, duke mos e ndjerë fuqinë shtrënguese të shtetit, subjekte të ndryshme në proces ekzekutimi do të krijonin një problem serioz në raport me përmbaruesit e vetëpunësuar. Me aplikimin e sistemit privat, institucionet shtetërore do të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat. Ato duhet të paguajnë tarifat në raport me objektin e ekzekutimit. Ndoshta duke mos e përballuar dot nga buxheti i vet pagimin e tarifave, shteti do t'i shmanget ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë. Sipas statistikave, çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore (ATK, KESH, firmat piramidale, të ndryshme, gjobat penale), zënë pjesën më të madhe të çështjeve të regjistruara për ekzekutim pranë zyrave përmbarimore. Çështjet sociale, kryesisht me objekt "Takim, kujdestari fëmije dhe detyrim ushqimor", mund të shpërfillen nga ana e përmbaruesve privatë, sepse procedurat e zgjatura, negociatat me prindërit, kërkojnë shumë kohë dhe sjellim pak përfitime për ta. Dhjetëra çifte të divorcuara vazhdojnë të kenë ende probleme midis tyre si për pasurinë e luajtshme, ashtu dhe atë të paluajtshme. Megjithëse për ta ka një vendim gjykate të formës së prerë, sërish Përmbarimi shtetëror e ka pasur të vështirë t’i zbatojë këto vendime për shumë arsye. Me nisjen e shërbimit privat pritet që shumë nga këto dosje të zbatohen më shpejt. Kjo për shkak të rregullave të reja që do të zbatojë shërbimi privat. Në këtë mënyrë edhe shtetërori do të ketë më pak ngarkesë pune. Praktika e një shërbimi përmbarimor të liberalizuar ka gjetur zbatim në disa shtete europiane. Bazuar në eksperiencën e këtyre vendeve është menduar që Shërbimi Përmbarimor të jetë i sistemit të dyfishtë, duke u ushtruar nga dy sisteme paralele ekzekutimi; njëri Shërbimi Përmbarimor Shtetëror dhe tjetri nga Shërbimi Përmbarimor Privat.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›