E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre punonjës në pranga, vodhën 100 copë bateri të firmës ku punonin

DURRËS - Tre punonjës të një firme të prodhimit të baterive në Durrës janë arrestuar nga policia, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen të kenë vjedhur dhe më pas shitur mallra të firmës ku punonin. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut thanë se ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë në firmën “Teknoservis” në qytetin bregdetar, kur tre punonjësit, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë vjedhur 100 copë bateri automjetesh të llojeve të ndryshme dhe më pas i kanë shitur ato kundrejt shumës 300 mijë lekë në Lagjen nr. 14 të qytetit. Burimet thanë se shtetasit F. O., 25 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen nr. 14, F. S., 43 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen nr. 14, dhe G. P., 42 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Lagjen nr. 17, i cili punonte si përgjegjës turni në këtë firmë, u arrestuan të martën në mbrëmje nën akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Sipas burimeve, të gjitha bateritë e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›