Vehbi Alimuça: “Politikanët vodhën 1300 hektarë prona dhe makinat”
Alimuça i ka bërë thirrje publike kryeprokurores Ina Rama. Ish-bosi kërkon nga Prokuroria rihapjen e dosjes “VEFA”
Tiranë - Vehbi Alimuça kërkon rihapjen e dosjes së transparencës. Në një intervistë për Top Channel, ish-bosi i firmës piramidale “VEFA” akuzon se politikanë kanë vjedhur jo vetëm pronat të tij të paluajtshme, por edhe makinat luksoze që dispononte në atë kohë. Sipas tij, edhe pse kanë kaluar 11 vite nga koha kur u bë procesi i transparencës, sërish nuk është nxjerrë në pah e vërteta për piramidat. Ai është shprehur se vuan nga një sëmundje e rëndë shëndetësore dhe pak kohë i ka mbetur të jetojë, mirëpo tani institucioni i akuzës mund ta zbulojë të vërtetën.
Apeli
Ish-kreu i firmës piramidale “VEFA” i ka bërë apel kryeprokurores Ina Rama të rihapë dosjen e “transparencës”. Sipas Alimuçës, njerëz të veshur me pushtetin e politikës i kanë marrë prona që i takonin atij. “Nëse dosja e transparencës do të rihapej, do të mësohej e vërteta për 13 mijë hektarë tokë si dhe për 470 makina”, - deklaroi dje Alimuça. Ai u preh se ka simpati për kryeprokuroren e re dhe se pret që ajo të japë kontributin e saj në dhënien e së vërtetës.
Sëmundja
Vehbi Alimuça ndodhet prej disa muajsh në Spitalin e Burgut. Ish-kreu i VEFA-s, sipas mjekëve, vuan nga sëmundja e diabetit, që i ka sjellë dhe komplikacione të tjera në shëndetin e tij. Para se të mbërrinte në spital ai vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Alimuça ka kërkuar disa herë rihapjen e kësaj dosjeje dhe në kërkesat e tij nuk ka kursyer të implikuar, që sipas tij shfrytëzuan situatën për t’u bërë i pasur me pasuritë e tij.
Mirëpo Alimuçës i duhej të qëndronte në një nga qelitë e Burgut të Peqinit të sigurisë së lartë për të vuajtur dhe dënimin e dhënë prej 17 vitesh burg nga Gjyqësori shqiptar për mashtrim të qytetarëve në vitin 1997. Alimuça është një nga të paktët bosët të firmave piramidale që është gjallë apo vazhdon të vuajë dënimin në një prej burgjeve të vendit. Ai u dënua nga gjykata me 17 vjet burg dhe sapo u njoh me vendimin u kalua në burg të sigurisë së lartë. Ish-bosi ndodhet prej vitesh në Burgun e Peqinit. Firma piramidale “VEFA” ka filluar punën e saj në vitin 1992 dhe me kalimin e viteve ajo u kthye në një nga bizneset më të fuqishme në vend.
14 Shkurt 2008