E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli rus për kolektivizimin e bujqësisë shqiptare

Gazeta rrëfen për gjendjen ekonomike dhe mbështetjen ruse për kolektivizimin. Vetëm në muajt e parë të vitit 1957 janë ngritur 1018 kooperativa bujqësore
U botua një thirrje e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, drejtuar punëtorëve të stacionit të makinave dhe traktorëve, organeve lokale dhe të gjithë punonjësve të bujqësisë. I gjithë populli sovjetik, thuhet në thirrje, ka punuar në mënyrë aktive për zgjidhjen e punimit të tokave të reja, gjë që bëri të mundur të tejkaloheshin treguesit fillestarë pothuajse 3 herë dhe të punoheshin 35 milionë e gjysmë hektarë tokë. Jo pa qëllim në shtypin tonë botohen arritjet e Bashkimit Sovjetik. Këto bëhen që edhe në vendin tonë procesi i kolektivizimit të bëhet sa më shpejt dhe normalisht, bëhet që populli ynë ta pranojë këtë nismë si diçka normale. Në rrugën që ecën Bashkimi Sovjetik duhet të ecin të gjithë shqiptarët që besojnë te Partia dhe aleati ynë më i madh, Bashkimi Sovjetik. Në të gjitha anët e vendit tonë, nga dita në ditë po zgjerohet lëvizja për ngritjen e kooperativave bujqësore dhe për futjen e anëtarëve të rinj në kooperativat e ngritura më parë. Fshatarësia jonë punonjëse, duke iu përgjigjur detyrimeve që shtroi Plenumi i Dhjetorit 1955 dhe Kongresi III i Partisë po përqafon me entuziazëm rrugën e kolektivizimit të bujqësisë, rrugën e nxjerrjes së bujqësisë sonë nga prapambetja, rrugën e jetës së begatshme.
Të dhënat për kolektivizimin
Vrulli i zgjerimit të kolektivizimit pasqyrohet më mirë nga këto shifra: Prej dhjetorit të vitit 1955 deri në Kongresin III numri i kooperativave bujqësore u rrit nga 318 në 694, ndërsa deri më 1 mars të 1957-s ky numër arriti në 952. Vetëm në dhjetë ditët e para të 1957-s u ngritën rreth 66 kooperativa të reja bujqësore. Numri i kooperativave në të gjithë republikën shkoi 1018. Ky sukses i rëndësishëm i Partisë sonë të Punës tregon drejtësinë e vijës në të cilën na mëson të ecim miku ynë i ngushtë Bashkimi Sovjetik. Shtimi i numrit të kooperativave bujqësore dhe zgjerimi i tyre më anëtarë të rinj u ngarkon detyra shumë të rëndësishme organeve të pushtetit lokal. Organizimi i ekonomisë kolektive, drejtimi i saj në rrugën që tregon Partia, është një çështje shumë e rëndësishme që duhet vlerësuar drejt nga organet e pushtetit dhe të partisë, në qarqe dhe rrethe. Në kooperativat bujqësore ka rezerva shumë të mëdha për forcimin e tyre ekonomiko-organizativ.
Roli i partisë te kooperativat
Komitetet ekzekutive të këshillave popullorë të qarqeve dhe të rretheve duhet t’i ndihmojnë kryesitë dhe mbledhjet e përgjithshme të kooperativave bujqësore për t’i zbuluar këto rezerva, për të rritur rendimentin e prodhimit bujqësor e blegtoral, për një planifikim të drejtë, për caktimin e normave të sakta, për zhvillimin e blegtorisë dhe sektorëve ndihmës. Në këtë mënyrë kooperativat tona bujqësore dhe blegtorale do të rrisin mirëqenien e anëtarëve dhe do t’i japin vendit më shumë prodhime bujqësore dhe blegtorale për forcimin e ekonomisë tonë popullore. Sukseset e arritura deri tani në rrugën e kolektivizimit të bujqësisë janë një mbështetje e fuqishme për të realizuar para afatit detyrën që shtroi Kongresi III i Partisë, që deri në fund të pesëvjeçarit të dytë të mbarojë kolektivizimi në të gjitha zonat fushore të Republikës së Shqipërisë dhe në një pjesë të mirë të zonave kodrinore.

Box 1
Rusët ndërtojnë impiantin e distilerisë së naftës

Dje u bë këtu përurimi i impiantit të distilerisë së naftës. Ky impiant është një tjetër vepër e re që i shtohet vendit tonë. Kjo vepër ka të njëjtin kapacitet me rafinerinë e naftës në Cërrik. Përfundimi i kësaj vepre u bë brenda 8 muajve, një kohë rekord për vepra të tilla madhore. Me rastin e përurimit morën pjesë shoku Hysni Kapo, Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Popullore Shqiptare, Mehmet Shehu, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Partisë Popullore Shqiptare, zv.kryetari i Këshillit të Ministrave, Koço Theodhori dhe ministri i Industrisë së Mineraleve, Adil Çarçani. Gjatë këtij përurimi për të gjithë punëtorët e dalluar në ndërtimin e kësaj vepre, Këshilli i Ministrave vuri në dispozicion 300 000 lekë.

Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi” më datë 17 mars 1957

Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›