E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi për arrati, “Gaxhai” vëzhgim non-stop nga policia

 Fatos MahmutajShtohen kontrollet e policisë në burgun e Fushë Krujës, pas dyshimeve për një plan arratie nga Gazmend Brraka, i njohur ndryshe si Gaxhai. Pas transferimit të dy shokëve të ish-të fortit të Vlorës, Fran Marashi dhe Altin Kodra, të cilët janë dërguar në burgje të tjera, policia e burgjeve ka ushtruar kontrolle në qelitë e burgut të Fushë Krujës, ndërsa janë përforcuar të gjitha vendrojat policore në këtë institucion. Por edhe pas kësaj ka qenë e pamundur që të zbulohet plani i arratisë së Gazmir Brakës. Mësohet se Braka, i cili konsiderohet i burgosur me rrezikshmëri porsa i përket tentativave të arratisë, është vendosur në survejim të pandërprerë nga policia e burgut. Po kështu në vrojtim të rreptë policor janë vendosur të gjithë sektorët e sigurisë së lartë të burgut të Fushë-Krujës. Por edhe pas kësaj policia e burgjeve nuk ka mundur ende të zbulojë planin e arratisjes së Gaxhait, duke mbetur vetëm te informacionet e siguruara në rrugë operative, për një arrati të mundshme të ish-të fortit të Vlorës në vitin 1997. ProtestaNdërkohë Fran Marashi, ish-shoku i qelisë së Gaxhait në Fushë-Krujë, i cili aktualisht ndodhet në qelitë e burgut të Korçës ka marrë takime me krerët e institucionit të cilëve u ka përsëritur kërkesën për rikthimin sërish në një burg në qytetet veriore, për të qenë pranë familjes. Burime nga ky burg pohojnë se Marashi, i cili është “akomoduar” i vetëm në një qeli të sigurisë së lartë në Korçë, kishte kërkuar të takonte krerët e institucionit, të cilëve u kishte bërë të ditur se do të niste grevën e urisë, si pasojë e transferimit në këtë burg, larg familjes së tij. Ai ka pohuar se tashmë, nisur edhe nga fakti i motit të keq i stinës së dimrit, familja e tij e ka të pamundur për të udhëtuar nga Shkodra për në Korçë. Burime nga burgu pohuan se pas takimit që patën me këtë të burgosur krerët e këtij institucioni i kishin sugjeruar atij, mos fillimin e grevës së urisë, por ankimin te autoritetet e burgjeve duke menduar se çështja mund të zgjidhej në këtë mënyrë, pa pasoja në shëndetin e të dënuarit. Po kështu, pas këmbënguljes së tij për fillimin e grevës së urisë ditën e hënë, autoritetet e burgut i kanë premtuar se do i krijonin të gjitha kushtet, sipas ligjit që ai të ushtronte këtë të drejtë të tijën. Ndërkohë mësohet se ka reaguar për transferimin në burgun e Peqinit, nga qelitë e Fushë-Krujës edhe shkodrani tjetër Altin Kodra. Edhe ku ka kërkuar rikthimin e tij në një burg në veri të vendit për të qenë pranë familjes së tij. Ndërkohë burime nga burgjet pohojnë se gjatë ditëve në vazhdim pritet që të ketë transferime të tjera të të burgosurve të sigurisë së lartë, të cilët dyshohen se mund të jenë përfshirë në planin e arratisë. Të njëjtat burime pohuan se pas verifikimit të dosjeve personale të Gazmir Brakës dhe dy shokëve të tij të transferuar, këta kanë rezultuar të mos kishin asnjë masë disiplinore. Po kështu autoritetet e burgut të Fushë-Krujës, pohuan se këta të dënuar njihen si më shembullorët porsa i përket sjelljes dhe mos krijimit të problemeve në vendin e vuajtjes së dënimit.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›