E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre shqiptarë në “Croisiere Musicale”

Anija “Sea Cloud” ose e mbiquajtura “Croisiere Musicale”, një nga anijet spektakolare që qarkullon në këto ditë vere në ujërat e Mesdheut, ka mbërritur të mërkurën në mëngjes në Portin e Vlorës, në jug të vendit, në një “ndjekje” kulturore të itinerarit të Marco Polos. Pas një vizite dhe një koncerti në Athine e Itakë janë Vlora dhe Apollonia ndalesat shqiptare të një grupi vizitorësh, “pasagjerë të anijes”.

Etapa shqiptare e turneut të “Resë së detit” përfshin vizitën pranë Parkut Arkeologjik “Apollonia”, si dhe një koncert në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, ku do të interpretojnë “Kori Femeror - Gjon Simoni”, drejtuar nga mjeshtrja Suzana Turku, si dhe soprano e mirënjohur shqiptare, Eva Golemi, së bashku me Orkestrën e Dhomës së Tiranës drejtuar nga Pjetër Guralumi. Repertori i përzgjedhur nga organizatorët ndërthur në dy pjesët e koncertit një hapësire krijimtarie muzikore nga ajo e koraleve bizantine e deri te koralet shqiptare të bazuara në polifoninë labe; nga trashëgimia popullore e përpunuar për soprano e orkestër harqesh deri tek ariet dhe skenat nga operat më të njohura të skenës lirike evropiane. "Është një ngjarje e shënuar që qyteti antik i Apollonisë, si dhe interpretimi muzikor shqiptar hyjnë në interesat e turistëve evropianë, duke dëshmuar potencialet e tërheqjes jo vetëm të vizitorëve, por dhe të studiuesve dhe muzikologëve të shquar franceze, për një promovim të vlerave kulturore që mbart vendi ynë si dhe për të vërtetuar tezën se turizmi kulturor është një nga elementët më aktive të promovimit të Shqipërisë", - u shpreh për muzikanti Pjetër Guralumi. Bregdeti Jonian dhe Adriatik, skena “stafete” e koncerteve të përgatitura për “Renë e detit”, do të vazhdojnë më pas me Dubrovnik-un, Hvar-in, Split-in, Pula-n dhe Venezia-n me Orkestrën Simfonike Dubrovnik-ut, me kuartetin “Kocian”, me pianisten franceze Danielle Laval, me violinistin Vadim Repin e pianistin Nikolai Lugnaski, me tenorin e famshëm Max Emanuel Cencic dhe pianisten Megumi Otsuka dhe me Orkestrën e Muzikës Baroke të Venezia-s, e cila do t’i kushtojë koncertin e saj krijimtarisë së Vivaldit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›