Policia e Shtetit, luftë të hapur kundër kultivimit të Kanabisit
Shkodra, Gjirokastra dhe Vlora janë tri qarqet që mbajnë rekord për kultivim të lëndëve narkotike të llojit Kanabis Sativa, ndërkohë që Dibra, Korça dhe Fieri rreshtohen në fund të listës, me 45-457 rrënjë Kanabis Sativa. Përgjatë një periudhe 7-mujore, nga forcat e policisë janë asgjësuar plot 80 895 rrënjë bimë narkotike, Kanabis Sativa. Një fakt i tillë bëhet publik nga Policia e Shtetit, ndërkohë që operacionet e zhvilluara në zona të ndryshme të vendit janë realizuar në kuadër të planit të veprimit për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Po të njëjtat burime zyrtare nga Policia e Shtetit shtojnë se përgjatë këtyre operacioneve janë arrestuar për kultivim të bimëve narkotike 21 persona, janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë 14 persona dhe për 15 autorë të identifikuar është bërë shpallja e kërkimit dhe vazhdon puna për kapjen e tyre. Po ashtu, vazhdon puna e policisë për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, pasi në disa raste kultivimi i bimëve narkotike bëhet në zona të shpyllëzuara, pa pronar. Policia e Shtetit paralajmëron se këto operacione për asgjësim të lëndëve narkotike nuk kanë marrë fund, pasi pritet që të intensifikohen edhe në ditët në vazhdim, në zonat tashmë të identifikuara nga policia. Ndërkohë do të vazhdojë puna dhe për identifikimin e sipërfaqeve të tjera të mbjella me bimë narkotike, me qëllim organizimin e operacioneve për asgjësimin e tyre dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Monitorimi dhe operacionet
Sipas Policisë së Shtetit, i gjithë territori i vendit po monitorohet me helikopter, me synim identifikimin e çdo sipërfaqeje të mbjellë me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre. Strukturat e policisë janë të angazhuara maksimalisht në luftën pa asnjë lloj kompromisi kundër kultivimit të bimëve narkotike në të gjitha zonat e vendit ku ato identifikohen. “Këto operacione janë zhvilluar në transparencë të plotë dhe çdo gjë është bërë publike për median e shkruar dhe atë vizive, e përmes tyre dhe për publikun e gjerë, ku çdonjëri ka pasur mundësi ta shohë angazhimin e policisë dhe vendosmërinë e saj për të luftuar këtë veprimtari kriminale” vijojnë burimet nga Policia e Shtetit, e cila është shprehur e vendosur në luftën e hapur kundër kultivimit të lëndëve narkotike në vend. Kështu ishte dhe operacioni i fundit i Policisë së Shtetit në komunën e Lazaratit ku u asgjësuan rreth 8.200 bimë narkotike. Ky operacion do të vazhdojë për të goditur çdo parcelë të identifikuar dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo individ përgjegjës.
Sekuestrimet
Vetëm gjatë vitit 2007 janë sekuestruar duke u shitur apo trafikuar 7.100 kg lëndë narkotike Kanabis Sativa, ku prej tyre rreth 3.500 kg ishin me origjinë nga Lazarati. “Suksesi i ndjeshëm i luftës ndaj trafikut të Kanabisit tregohet mjaft qartë në referimin e statistikave të autoriteteve të specializuara italiane”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare, duke shtuar se “nëse në vitet 2003, 2004 autoritetet italiane sekuestronin disa tonë Marijuanë të dërguar nga territori shqiptar, në vitin 2007 kjo sasi ishte vetëm 100 kg ndërsa gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 është vetëm 4 kg”.
Qarku Shkodër
45 110 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Gjirokastër
15 225 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Vlorë
12 004 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Kukës
3 336 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Durrës
3 094 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Berat
1 219 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Fier
457 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Korçë
452 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar
Qarku Dibër
53 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa e asgjësuar