E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre të arrestuar me 10 kg hashash, në pranga edhe një ish-polic

Korçë- Tre të arrestuar, mes të cilëve një punonjës policie, është bilanci i një operacioni antidrogë. Mbrëmjen e të enjtes policia juglindore ka goditur një rrjet të mirëorganizuar që kryenin aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. 10 kilogram hashash, por dhe një sasi eurosh dhe lekësh bashkë me objekte të tjera, kanë rënë në duart e bluve. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se gjatë orëve të vona të mbrëmjes të të enjtes është finalizuar operacioni “Dimir”, në të cilin kanë rënë në pranga shtetasit: Jani Haska, 41 vjeç, ish-punonjës policie; Rigels Shalcani, 21 vjeç; dhe Naumand Cico, 21 vjeç; të tre banorë të qytetit të Korçës. Nga hetimet e para dhe ndjekja më shumë se dymujore e këtyre personave ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin të lartpërmendurit merreshin me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Gjatë ndjekjes së këtyre shtetasve është bërë i mundur arrestimi në kushtet e flagrancës, teksa ishin duke ndarë drogën. Ata janë arrestuar në tregun e fruta-perimeve të qytetit të Korçës, ndërsa u është gjetur 10 kilogramë hashash, 1200 euro, 5 mijë lekë, tre aparate telefonike si dhe 2 pasaporta biometrike. Gjithashtu, të ndaluarve iu sekuestrua dhe një mjet me targa greke YXT 2781 tip Opel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›