E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre të vrarë para Ambasadës së SHBA-së në Tunizi

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe 28 janë plagosur në përleshjet që kanë shpërthyer të premten pasdite rreth Ambasadës së SHBA-së në kryeqytetin e Tunizisë, deklaroi zëdhënësi i ministrisë tunizian i Shëndetësisë. Sipas fjalëve të tij, nuk përjashtohet mundësia që numri i viktimave të jetë edhe më i madh, pasi bëhet fjalë për përleshje të ashpra.

Agjencia France Press njoftoi se policia ia doli të shkatërrojë demonstratat e dhunshme rreth ambasadës.

Njoftohet se në këto demonstrata morën pjesë të paktën 1 mijë persona. Ata kapërcyen murin e ambasadës, thyen xhamat e dritareve në objekt dhe ndezën drunjtë në oborrin e parkingut, deklaruan dëshmitarët.

Myslimanë të shumtë kanë protestuar të premten në Lindjen e Mesme, të zemëruar nga një film që tall Profetin Muhamed.

Në Sudan dhe Tunizi janë sulmuar ambasadat e Shteteve të Bashkuara. Në Kartum raportohet për një protestues të vrarë dhe disa të plagosur.

“Kjo është një situatë shumë e paqëndrueshme dhe nuk është përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj administratës, ndaj popullit amerikan. Është një përgjigje ndaj një filmi që në e kemi dënuar”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.

Demonstruesit në kryeqytetin sudanez kanë depërtuar, po ashtu, në Ambasadën e Gjermanisë, duke u vënë zjarrin dritareve. Ata kanë sulmuar edhe Ambasadën britanike, para se policia të përdorte gazin lotsjellës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka dënuar ashpër sulmin.

Raportet e fundit thonë se një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në përleshjet ndërmjet policisë dhe protestuesve pranë Ambasadës Amerikane në Kajro.

Një kontingjent i marinës amerikane ka arritur në Sana të Jemenit, ku forcat e sigurisë kanë luftuar me një turmë të madhe njerëzish që bënin përpjekje të marshojnë para Ambasadës Amerikane.

Në Teheran, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnei, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara t'i ndëshkojnë prodhuesit e filmit.

Filmi “Pafajësia e Myslimanëve”, fragmente të të cilit janë postuar në ueb-faqen YouTube, paraqet Profetin Muhamed si “gjysmë budalla dhe të dhënë pas grave”.

Administrata e Obamës e ka dënuar filmin që ka nxitur protesta edhe në Pakistan, Afganistan, Irak, Indi, Indonezi e të tjera vende.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›