Tre vite të zeza për shqiptarët
Tre vjet më parë, pikërisht në këtë ditë, Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s. Dokumenti i parë që publikoi Wikileaks për Shqipërinë e thoshte qartë se anëtarësimi ishte një dhuratë për Shqipërinë me shpresën se gjërat do të shkonin më mirë. Por ndodhi e kundërta. Siç e thonë ndërkombëtarët, me në krye amerikanët, ajo ka qenë një periudhë kthese negative për Shqipërinë. Tre vitet që pasuan anëtarësimin në NATO kanë qenë të zeza për demokracinë e për Shqipërinë.
-Gjatë këtyre tre viteve kemi provuar se zgjedhjet për ne janë një farsë. Së fundmi po e thonë edhe miqtë tanë. E tha sot edhe ambasadori danez.
-Gjatë tre viteve të fundit kemi provuar se gjyqësori në Shqipëri vetëm drejtësi nuk jep.
-Gjatë tre viteve të fundit ne nuk kemi bërë asnjë hap përpara drejt integrimit. Shqipëria po shënon rekord historik në Europë duke mos marrë statusin e vendit kandidat.
-Gjatë tre viteve të fundit është provuar kapërcipërisht se koalicioni PD- LSI, e solli këtë të fundit në qeveri vetëm për të vjedhur. Vetë kryetari i saj u kap mat duke bërë pazare me shuma gjigande.
-Gjatë tre viteve të fundit kemi provuar se krimi, i organizuar e i paorganizuar, është rritur në nivele të frikshme. Rasti i një personi që kishte terrorizuar Tiranën nën hundën, rikthimi i përplasjeve mes bandave dhe rritja e trafikut të drogës- sipas DASH, e faktojnë këtë.
-Gjatë tre viteve të fundit, sipas Fondacionit Bertelsmann, kemi humbur edhe atë arritje të vetme që kishim, rritjen ekonomike. Kemi tre vjet që jemi në një krizë ekonomike pasi rritja ekonomike nuk e kap 1 përqindëshin, por sërish krenohemi se jemi si Gjermania.
-Gjatë këtyre tre viteve kemi provuar se nuk kemi ushtri për NATO, por ushtri me të cilën tallet Arben Imami. Rasti i fundit i emërimit të komandantit të flotës e tregon qartë. Për të mos folur për Gjunkshin e ushtrisë, Hoxhën e Gërdecit, etj.
-Gjatë tre viteve të fundit kemi shkatërruar plotësisht arsimin, sidomos atë të lartin, duke prodhuar vetëm diploma e jo dije.
-….