E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre vjet kushtetute Krasniqi i pakenaqur me ligjet

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po ballafaqohet me probleme të mëdha dhe sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioriteti kryesor për institucionet e vendit. Të mërkurën mbushen tre vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës e cila nuk po gjen zbatim në veri të vendit, të dominuar nga serbët. kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi nuk është i kënaqur me implementimin e ligjeve në praktikë.

“Ka pengesa në zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës, por ju e dini që Kosova është shtet i ri dhe ka pengesa në pjesë të saj”-tha kryeparlamentari Krasniqi.

Sundimi i ligjit si prioritet u vlerësua edhe në konferencën  e organizuar nga Instituti KIPRED, Universiteti i Essex nga Londra dhe Universiteti i Prishtinës me temë: “Qasja në Drejtësi”.
 
“Jemi të vetëdijshëm që ka sfida, siç janë nxjerrja e ligjeve të mira, jo vetëm ligje sa për t’i pasur Kosova. Pastaj ligjet duhet t’u garantojnë qytetarëve, qasje të barabartë dhe të plotë në drejtësi”-tha Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë së Kosovës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë Ilan Cliff  kërkoi nga institucionet vendore më shumë përkushtim.

“Çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, sundimi i ligji, qasja në drejtësi janë prioritet qenësore për ambasadën e Britanisë së Madhe  në Kosovë dhe për kolegët tanë nga DIFID-I”-theksoi ai.

Kosova si vend i ri, në të gjitha raportet ndërkombëtare kritikohet ashpër për shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë vënë edhe si prioritete të misionit të Bashkimit Europian për Polici dhe Drejtësi- EULEX.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›