E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova nis ndërtimin e autostradës Morin-Mardar

Qeveria e Kosovës ka planifikuar të akordojë plot 50 milionë euro për ndërtimin e autostradës Morin - Mardar, i cili përshkon të gjithë territorin e vendit deri në veri, kufi me Serbinë. Lajmi konfirmohet nga zëvendësministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Adem Grabofci, sipas të cilit projekti është hartuar nga një kompani gjermane dhe aktualisht janë duke u bërë disa rregullime. Ndërtimi i kësaj vepre do të konkretizonte projektin e madh të lidhjes mes Shqipërisë dhe tregut kosovar, madje përtej tij. Aksi do të jetë pjesë lidhëse e rrugës që po ndërtohet aktualisht, Durrës-Kukës-Morin, përfundimi i të cilit parashikon të ulë kohën e udhëtimit për të paktën katër orë. Zëvendësministri Grabofci, me këtë rast ka bërë të ditur se qeveria këtë vit ka vendosur të vërë në dispozicion fondin prej 50 milionë eurosh për shpronësimin e pronave në pjesën nga do të kalojë autostrada Morin-Merdar. Sipas tij, kjo shumë do të vihet në dispozicion për fazën fillestare, nëse vlerësohet që ka nevojë për përdorimin e tyre. Ai ka shtuar që MTPT-ja tani është duke konsideruar edhe mundësinë e ndërrimit të drejtimit të kësaj autostrade. "Jemi duke e rishikuar edhe një herë projektin që është bërë nga një kompani gjermane, pasi që mendojmë që në këtë projekt ka mangësi të cilat duhen korrigjuar dhe pasi të korrigjohen, atëherë do të fillojmë zbatimin e projektit. Në rast se konsiderohet e arsyeshme do të bëhet edhe ndryshimi i drejtimit të autostradës dhe pas konsultimeve me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë do të shihet se çfarë është e dobishme. Ne nuk hedhim poshtë asnjë variant, e cila shihet së është e dobishme dhe është në interes të vendit", ka thënë Grabofci. Sipas tij, kompensimi i pronave do të bëhet sipas çmimit të tregut. "Çështja e shpronësimeve që duhet të bëhen me rastin e ndërtimit të autostradës në pjesën e Kosovës, Morin-Merdar, është ngritur në Kuvendin e Kosovës dhe është aprovuar fakti që ky projekt të shpallet interes i veçantë", ka thënë Grabofci. Shuma e përgjithshme e ndërtimit të autostradës është vlerësuar se do të arrijë në 650 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›