ARMO, kontrata e shitjes njësoj si e armëve të Gërdecit
Deputetët e opozitës kanë akuzuar sot se kontrata e shitjes së kompanisë ARMO është e njëjtë me atë të aferës korruptive të Gërdecit. Petro Koçi, përfaqësues i PS-së ka hedhur dyshimet lidhur me shitjen e kompanisë tek U.S. Refinery Associates of Texas.
“Çështja e parë që është ngritur sot gjatë shqyrtimit të kontratës në kuvend, është se ARMO është shitur tek kompania amerikane ndërkohë që kontrata është lidhur me një shoqëri anonime shqiptare AMBRA që është krijuar dy muaj pas tenderit” – tha Koçi. AMBRA është një subjekt që vjen nga Qipro dhe nuk ka përcaktuar mirë as selinë, as adresën, as të dhëna të tjera që kërkon ligji. Sipas Koçit kjo është e njëjta histori si me trafikun e armëve të Gërdecit. Ministri Genc Ruli ka replikuar lidhur me këtë pretendim. Sipas tij ligji përcakton që kompania blerëse duhet të krijojë një subjekt rezident në Shqipëri dhe prandaj është edhe AMBRA në mes.
Ndërkohë çështja e dytë e ngritur nga opozita është vlera e kontratës e cila ka ndryshuar mbas tenderit nga 240 milionë euro në 240 milionë dollarë, që sipas KoçitËshtë shifër shumë e trashë nëse bëhet konvertimi.
Çështja e tretë është shkelja e datës së nënshkrimit të kontratës nga 7 gusht në 23 gusht. Por për këtë ministri Ruli thotë se është brenda afatit pasi ligji parashikon deri në datën 28 gusht.
Dhe çështja e fundit e ngritur është garancia e dyshimtë bankare e kompanisë blerëse e lëshuar jo nga persona kompetentë. “Ka gjithmonë tendencë që për disa çështje të mjegullta flitet gjithmonë për investitorë amerikanë, ndërkohë që kontratat lidhen me Shqiptarë. Nuk mund të përdoren amerikanët për çdo gjë që bëhet në Shqipëri” – tha Koçi.