E Diel, 1 Nëntor 2026

Trebicka, raporti i ardhur nga SHBA, në zyrën e Ina Ramës

Eksperti amerikan, Kevin Teter, sjell në Tiranë konkluzionet e tij për vdekjen e dëshmitarit të Gërdecit, Kosta Trebicka

TIRANË- Raporti i ekspertit amerikan për vdekjen e dëshmitarit kyç të çështjes së Gërdecit, Kosta Trebicka, mbërrin në Prokurorinë e Përgjithshme. Eksperti amerikan, Kevin Teter, sjell me postë diplomatike nëpërmjet ambasadës së SHBA-së në Tiranë, raportin përfundimtar të akt-ekspertimit autoteknik të makinës dhe vendit të ngjarjes, ku u gjet i vdekur Trebicka. Ky lajm konfirmohet nga burimet e rezervuara të “Shekullit” pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët nënvizuan se raporti përfundimtar i ekspertit amerikan ka ardhur mesditën e së martës pranë kryesekretarisë së institucionit qendror të akuzës nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, ky raport ndodhet në zyrën e kryeprokurores Ina Rama, e cila paraditen e sotme pritet që t’ia adresojë me postë sekrete grupit hetimor të prokurorëve të Korçës, të cilët po hetojnë zbardhjen e misterit të vdekjes së dëshmitarit kryesor të çështjes së Gërdecit, i cili u gjet i vdekur mesditën e 12 shtatorit, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë.

Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka pranuar t’ia vërë në dispozicion këtë raport përfundimtar prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, me pretendimin se raporti do të relatohet në analizën e dosjes “Trebicka” që pritet të bëhet këto ditë, pranë institucionit qendror të akuzës nga grupi hetimor i prokurorëve të Korçës. “Në kryesekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, mesditën e së martës, është depozituar një zarf me ngjyrë të verdhë, me mbishkrimin “Top Secret”, zarf ky që mban vulën e Ambasadës së SHBA-së në kryeqytet. Brenda saj mësohet se ndodhet raporti voluminoz i ekspertit Kevin Teter, i cili menjëherë pas gjetjes së viktimës Kosta Trebicka ka ardhur për të kryer akt-ekspertimin autoteknik të makinës dhe vendit të ngjarjes”,-thuhet nga burimet e rezervuara të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, mësohet se raporti ka një volum të madh faqesh, ku eksperti amerikan i është përgjigjur me detaje të hollësishme të gjitha pyetjeve të bëra nga grupi hetimor si dhe përgjigje për ekspertimin autoteknik të makinës tip “Nissan” me targa TR 8843 J”-bënë me dije burime nga Prokuroria e Përgjithshme.

Përveç detajeve të dëmtimeve të jashtme të makinës, eksperti Teter pritet të ketë përshkruar në atë raport edhe shkakun e aksidentit të kësaj makine, që mendohet se është rrotulluar nga manovrimi i drejtuesit, duke sjellë edhe vdekjen e tij. Mësohet gjithashtu se brenda këtyre ditëve pritet që dy ekspertët shqiptarë, të cilët kanë marrë përsipër të kryejnë ekspertimin auto-teknik të makinës të nxjerrin edhe ata përfundimet e tyre në lidhje me shkakun e “aksidentit” të dëshmitarit të aferave të municioneve të kryer nga pushtetarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe bashkëpunëtorëve të tyre që tashmë janë nën arrest. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore përfunduan raportin final të ekzaminimit të shkakut të vdekjes së Kosta Trebickës, që sipas tyre vdekja e tij ka ardhur si pasojë e politraumës, shembja e kokës dhe e gjoksit, e shoqëruar me dëmtime të trurit dhe mushkërive nga mekanizmi i goditjes – përplasjes. Sipas burimeve të akuzës, thuhet se të gjitha veprimet e tjera hetimore në lidhje me ngjarjen kanë përfunduar por që nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar deri në përfundim të këtyre akt-ekspertimeve auto-teknike të makinës.

Raporti i mjekëve ligjorë, tre akt-ekspertimet kimike të Kosta Trebickës në prokurori

Analizat, Trebicka i pastër nga helmi, droga e alkooli

TIRANË- Kosta Trebicka nuk ka qenë i helmuar, i droguar apo nën efektet e alkoolit, në momentin që humbi jetën në rrethana të mistershme në aksin rrugor Lekas-Voskopojë. Kjo është përgjigjja e analizave kimike, që ka mbërritur rreth një javë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme, së bashku me raportin përfundimtar të Mjekësisë Ligjore. Ekspertët mjeko-ligjorë raportuan pranë organeve të hetimit se Kosta Trebicka vdiq si pasojë e politraumës, nga goditjet në kokë e në gjoks. Burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan për “Shekullin” se tre akt-ekspertimet e fundit të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i janë dorëzuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e “aksidentit” të biznesmenit Kosta Trebicka. “Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, kanë kryer tre akt-ekspertimet e fundit në lidhje me analizat bio-kimike të kryera në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka. Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marra nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Trebicka, nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar”,-thonë anëtarë të grupit hetimor. Përfundimi i analizave kimike të çon në përfundimin që Trebicka nuk ka pasur asnjë shkak fizik apo shëndetësor, që të ulte aftësinë e tij në drejtimin e makinës. Po ashtu, ekspertët kanë përfunduar edhe akt-ekspertimin e gjendjes shëndetësore të viktimës, sipas së cilës rezulton se para vdekjes të mistershme, ai gëzonte shëndet të plotë. Ndërkaq, edhe akt-ekspertimi i gjurmëve papilare të gishtave të gjetura në makinë dhe gjakut të gjetur nën trupin e pajetë kanë rezultuar se janë të viktimës. Këto raporte vijnë menjëherë pas përfundimit të akt-ekspertimit përfundimtar, mbi shkaqet e vdekjes së Trebickës, që sipas ekspertëve mjeko-ligjorë,shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë shembja e kokës dhe e gjoksit, e shoqëruar me dëmtime të trurit dhe mushkërive nga mekanizmi i goditjes – përplasjes, karakteristike për aksidentet automobilistike. ANALIZAT KIMIKE

Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marra nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Trebicka, nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar.

GJURMËT E GISHTAVE

Akt-ekspertimi i gjurmëve papilare të gishtave, të gjetura në makinë dhe gjakut të gjetur nën trupin e pajetë, në mes të rrugës kanë rezultuar se janë të viktimës Kosta Trebicka

AUTOPSIA

Shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë “politrauma” e shoqëruar me “kontuzion” (shembje) të kokës dhe të gjoksit, të shoqëruar me dëmtimet e organeve përkatëse gjatë mekanizmit të goditje-përplasjes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›