E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët në KLD: Drafti Alibeajt na cënon

 

Debat në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për projektligjin për administratën gjyqësore. KLD: Duam 1 javë kohë për qëndrimin

Kryetarët e gjykatave: Drafti “Alibeaj” cënon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe integritetin e gjyqtarëve

TIRANË- Cënim i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe i integritetit të gjyqtarit. Kështu e kanë cilësuar draftin e Alibeajt për “Administratën Gjyqësore”, kryetarët e disa gjykatave në vend. Pas kundërshtimit të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, në lidhje me projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, gjatë ditës së djeshme kanë reaguar kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit në vend. Në përballjen me kryetarët e gjykatave, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka vazhduar të mbrojë draftin, me synimin e ndarjes së përgjegjësive mes gjyqësorit dhe ekzekutivit, por ky argumentim është cilësuar i papranueshëm nga kryetarët e disa gjykatave në vend.

Debati për ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë është zhvilluar dje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku kryetarët e gjykatave dhanë për disa minutamendimet e tyre kundërshtuese para ministrit Alibeaj dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas gjyqtarëve, ndryshimet bëjnë që administratat e gjykatave të vihet nën kontrollin e ministrit të Drejtësisë dhe nuk arrihet të përcaktohet bashkërendimi i punës mes kancelarit dhe kryetarit të gjykatës. Të gjitha këto dhe debatet e tjera të bëra për një afat kohor prej 3 orësh u zhvilluan në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku me iniciativën e këtij këshilli u organizua takimi konsultativ mes kryetarëve të Gjykatave të Rrethit, anëtarëve të KLD-së dhe ministrit Ebnkelejd Alibeaj. Gjatë debatit nuk munguan edhe replikat mes kryetarëve të gjykatave, anëtarëve të KLD-së dhe vetë ministrit Alibeaj, që vazhdoi të mbrojë draftin ligjor të përpiluar nga specialistët e zyrës së kodifikimit pranë dikasterit të Drejtësisë. Gjithashtu, gjatë takimit të djeshëm nuk munguan edhe kundërshtimet e tre neneve të këtij projektligji nga anëtarët e KLD-së, ku katër prej këtyre anëtarëve kundërshtuan ashpër këto ndryshime që priten të miratohen në Kuvend me propozim të Ministrisë së Drejtësisë.

“Disa nga anëtarët e KLD-së dhanë opinionet e tyre, duke vlerësuar iniciativën për bërjen e projektligjit për administratën gjyqësore, por shprehën rezerva për disa nga nenet e këtij projekti, ku sugjeruan edhe rregullimet që duhen bërë, për të mos lënë shkak për interpretime”,-thuhet nga burimet zyrtare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërkaq, kundërshtimeve dhe sugjerimeve të anëtarëve të KLD-së dhe kryetarëve të Gjykatave të Rrethit dhe të Apelit, nuk ngurroi t’u përgjigjet ministri Alibeaj, i cili theksoi rëndësinë e këtij drafti ligjor në favor të funksionimit dhe mbarëvajtjes së punës administrative në gjykata. “Projekti është hartuar nga një grup pune në përbërje të së cilit ishin ekspertë të njohur evropianë dhe vendas të fushës. Ky projekt merr përsipër të rregullojë sjelljen e administratës në shërbim të Gjykatës, rrit cilësinë e shërbimitdhe njëherazi përcakton qartësishtpërgjegjësitë. Gjithashtu, ky projekt bën të mundur njohjen epunonjësit të administratës së gjyqësorit me statusin e nëpunësit civil, dyfishon rrogat e tyre, jep garanci për punën e tyre etj”,-tha Alibeaj, duke mbajtur qëndrim të prerë se ky draft ligjor nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit. Pas debateve të të pranishmëve, zvkryetari i KLD-së Spahiu kërkoi një javë kohë për të formuluar një qëndrim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në lidhje me projektligjin për administratën gjyqësore. Gjatë takimit të djeshëm u diskutua edhe për projektligjin për funksionimin e Gjykatës Administrative, draft ky i përgatitur tashmë nga Ministria e Drejtësisë.

REPLIKAT NË KLD

Kreshnik Spahiu

Tjetër gjë është të bësh një ligj apo ndryshime në ligj, tjetër gjë ta implementosh, por është e vështirë të vihet në praktikë.

Enkelejd Alibeaj

Ligji për administratën gjyqësore, ka pasur konsultime me grupet e interesuara që nga data 21 gushti, kohë kur edhe ju anëtarët e KLD-së duhet ta kishit parë, por nuk ka gjë, më mirë vonë se kurrë. Përveç këtij drafti edhe rregullorja brenda gjykatave është gati dhe është metodë mjaft e mirë.

Albert Meçe, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë

Kryetarët e Gjykatave janë të gatshëm dhe shprehin gatishmëri për bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë edhe në ndonjë takim tjetër, por ky bashkëpunim i kërkuar është keqkuptuar ose anashkaluar nga Ministri. Ndërsa, lidhjet e keq administrimin e gjykatës nga kancelarit, kryetari gjykatës duhet t’i drejtohet Ministri i Drejtësisë. Shqetësimi ynë është, kush do zbatojë urdhrat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ne apo kancelari? Dhënia e kompetencave neve njësoj si t’i jepen gjykatës. Duhet kufizuar kompetencat e Ministrit pasi këto rregullore cenon pavarësinë e gjyqësorit.

Artur Malaj, kryetari i Gjykatës së Vlorës

Kemi të bëjmë me një ligj që shkel pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia financiare është shkelur pasi është lënë jashtë këtij procesi. Ekzistojnë me këtë ligj dy struktura paralele, ajo administrative dhe kryetari formal pa asnjë kompetencë”

Enkelejd Alibeaj

Ligji për administratën gjyqësore rregullon statusin e administratës, jo vetëm praktikisht por edhe teorikisht. Nuk shkelim asgjë, as pavarësinë, veçse rriten pagat dhe rregullohet statusi i punonjësit të administratës”.

Armando Subashi, anëtar i KLD-së

Ky është një projekt i munguar në kohë. Ajo që ka çaluar ka qenë dhe statusi i administratës gjyqësore. Ky projekt ka arritje sepse i ka barazuar nëpunësit e administratës gjyqësore me nëpunësit civil. Megjithatë, struktura duhet përcaktuar nga vetë ligji dhe jo nga ministri. Ajo që na shqetëson janë nene 456 të cilat na shqetësojnë për pavarësinë e gjykatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›