Uniforma e policisë: Made in Italy
Ndryshon “garderoba” e Policisë së Shtetit. Shpallet hapja e tenderit për prodhimin e uniformave të reja
TIRANË- Policia e Shtetit ndryshon garderobën. Ditën e djeshme, specialistët italianë të dizenjimit kanë prezantuar para të gjithë drejtuesve të policisë së shtetit uniformën e re dhe të gjitha aksesorët që do ta shoqërojnë atë. Sipas dizenjuesve të huaj, uniforma e re ngjason me veshjen e policëve të BE-së. Për aksesorët dhe uniformën e re, të prezantuar nga firma italiane “Eumar International S.R.L”, drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit ka dhënë miratimin duke e shpallur të hapur tenderin. “Në uniformën aktuale të policive janë evidentuar probleme e mangësi kryesisht në drejtim të paraqitjes së përgjithshme të saj, ndaj dhe nevojitej një uniformë më dinjitoze për efektivët e policisë”,-thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Procesi për të ndryshuar uniformën e policisë ka nisur në muajin janar të këtij viti, duke kaluar në disa faza. Janë hartuar detyrat e projektimit, kanë kontribuar specialistë nga të gjitha shërbimet policore, por dhe historianë, heraldistë, etnografë, pedagogë të universitetit, përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Mësohet se uniforma e policisë së shtetit do të pësojë ndryshim nga kostumi aktual duke filluar nga modelimi, shenjat, emblema, stemat dhe gradat. “Në uniformën aktuale të policëve janë evidentuar probleme e mangësi kryesisht në drejtim të paraqitjes së përgjithshme të saj, cilësia e materialeve të përdorura për prodhimin e uniformes ka qenë e ulët, modelimi dhe kompozimi i disa elementeve përbërës të uniformës në veçanti shenjave, gradave, stemave, qoftë në drejtim të dizenjimit, por dhe materialit të prodhimit nuk ishin në parametrat e kërkuar. Kjo uniformë nuk realizonte një paraqitje dinjitoze të punonjësit të policisë”,- kanë bërë të ditur zyrtarët e policisë së shtetit, faktorët që detyrojnë të ndërrojnë uniformën e policisë.
Gjatë prezantimit që specialistët italianë kanë bërë për dizenjimin e uniformës së re dhe aksesorëve të saj, zyrtarë të policisë së shtetit bënë të ditur edhe elementët e uniformës së re. “Uniforma e re do të plotësojë nevojat maksimale për të siguruar ruajtjen e shëndetit të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrave, ndërhyrjeve apo stërvitjeve të ndryshme” thanë zyrtarët e policisë së shtetit. Gjithashtu uniforma e re do të përfaqësojë vlerat e simboleve kombëtare, historike e tradicionale të popullit dhe të Policisë së Shtetit, të vlerave artistike, kulturore, e folklorike të kulturës popullore. Mësohet se kostumi i ri i dikasterit blu do të ketë material prej tekstili si dhe një prerje e qepje cilësore. Do të realizohet një uniformë higjenike e shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit të punonjësit të policisë, në të gjitha stinët e vitit dhe në kushte të ndryshme atmosferike. Jo të gjithë punonjësit e policisë do të kenë uniformë të njëjtë. Forcat speciale dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë do të kenë uniforma të ndryshme nga njëra-tjetra.Zyrtarët e drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit kanë bërë të ditur se uniforma e re do të jetë e “përkryer” për punonjësit e policisë, ndërsa nuk përcaktohet koha kur punonjësit e policisë do të dalin në rrugë me këtë kostum të ri dhe as kostoja që duhet të përballojnë taksapaguesit shqiptarë për të veshur “Made in Itali” policët shqiptarë.
Defektet e uniformës aktuale
• Cilësia e materialeve të përdorura për prodhimin e uniformës ka qenë e ulet.
• Modelimi dhe kompozimi i disa elementeve përbërës të uniformës në veçanti shenjave, gradave,stemave, qofte në drejtim të dizenjimit, por dhe materialit të prodhimit nuk ishin në parametrat e kërkuar.
• Kjo uniforme nuk realizonte një paraqitje dinjitoze të punonjësit të policisë
Uniforma e re synon
•Plotësimin e kërkesave të nevojshme përsa i përket anës funksionale, për të siguruar ruajtjen e shëndetit të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrave, ndërhyrjeve apo stërvitjeve të ndryshme.
• Plotësimin e prezantimit dhe përfaqësimit me dinjitet të vlerave e simboleve kombëtare, historike e tradicionale të popullit dhe të Policisë së Shteti, të vlerave artistike, kulturore, e folklorike të kulturës sonë popullore.
• Sigurimin e cilësisë së kërkuar e të nevojshme në drejtim të materialeve prej tekstili që do të përdoren për prodhimin e uniformës dhe të pjesëve të tjera përbërëse.
• Realizimi i një prerje e qepje cilësore dhe profesionale të kostumeve dhe elementeve të tjerë përbërës të uniformës duke përdorur metodat bashkëkohore të modelimit.
• Realizimin e një uniforme higjienike e shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit të punonjësit të policisë në të gjitha stinët e vitit, dhe në kushte të ndryshme atmosferike